Ashton: Plani i Zbatimi çon Serbinë dhe Kosovën drejt BE-së

16
Catherine Ashton
Catherine Ashton

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe njëkohësisht Zv. Presidente e Komisionit Europian, ka deklaruar sot, se mirëpret vendimin e Serbisë dhe Kosovës për adoptimin e planit të zbatimit. Ky Plan Zbatimi, përkthen në praktikë parashikimet e Marrëveshjes së Prillit. Ashton ka falënderuar edhe njëherë Kryeministrin serb Dačić dhe Kryeministrin e Kosovës Thaçi, për lidershipin dhe vendosmërinë e tyre.

Përfaqësuesja më e lartë e diplomacisë Europiane, ritheksoi se filozofia e Marrëveshjes konsiston në një progres real të Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së, si edhe në zgjidhjen e problemeve në terren.

Angazhimi i tyre personal, do të vazhdojë të jetë thelbësor, në zbatimin e shpejtë të planit. Plani i zbatimit, është përcaktuar të zgjidhë problemet në terren dhe të sigurojë progres të shpejtë, si në Serbi, po ashtu edhe në Kosovë, drejt Bashkimit Europian. Ai paraqet një hap të mëtejshëm, në thjeshtësimin e dialogut me BE-në dhe është pa paragjykim ndaj pozicionit të dy palëve, mbi statusin e Kosovës”,- ka deklaruar Catherine Ashton.

Sot, pritet gjithashtu që qeveria e Kosovës të kalojë në Parlament për ratifikim ‘ Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë’’, e cila shoqërohet me dy anekse, Marrëveshja dhe Plani i Zbatimit. Ratifikimi i saj, do të bëhet i mundur vetëm në një votim prej dy të tretave të Kuvendit dhe është e përfshirë nën kuadrin e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.