Ashton dhe Fyle: Duhet KQZ funksionale, që rezultati të jetë i pranueshëm nga të gjithë

48

European CommissionNë një Deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle kanë nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve, si një test ndaj demokracisë dhe progresit europian. Ato kanë theksuar, se nevojitet një KQZ funksionale dhe se forcat politike në vend kanë përgjegjësinë të riformojnë besimin e publikut dhe të krijojnë kushtet që rezultatet zgjedhore të jenë të pranueshme nga të gjithë.

“Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri më 23 qershor përfaqësojnë një test të rëndësishëm për institucionet demokratike të vendit dhe progresin e tij drejt Bashkimit Europian.

Ne po vazhdojmë të monitorojmë nga afër përgatitjet për zgjedhjet, duke nënvizuar nevojën për mbajtjen e tyre, në të njëjtën vijë me standardet Europiane dhe Ndërkombëtare dhe inkurajojmë ndjekjen e menjëhershme të gjetjeve të raportit paraprak të OSBE-së, zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Misionit Vëzhgues Elektoral. Në këtë kontekst, është gjithashtu e rëndësishme, që liderët politikë të gjejnë rrugën, të pranueshme për të gjithë, për të bërë KQZ-në tërësisht funksionale.

Rikujtojmë, se është përgjegjësi e përbashkët, e të gjithë liderëve politikë shqiptarë dhe partive të riforcojnë besimin e publikut në procesin elektoral dhe të krijojnë kushtet që rezultatet zgjedhore të jenë të pranueshme nga të gjithë.”- thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton dhe Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle. /im.ta/