Siç raporton gazeta turke “Hurriyet”, Ozdemir dhe disa biznesmenë të tjerë akuzohen për “krijimin e një organizate kriminale”, për mitmarrje, mashtrim, falsifikim të dokumenteve zyrtare, kërcënime dhe përvetësimin e aseteve të fituara me aktivitete kriminale.
Ozdemir me Limak sapo ka fituar tenderin për ndërtimin e aeroportit të tretë të Stambollit. Para 3 muajsh, ai bashkë me kryeminstrat Erdogan, Thaçi dhe Rama përuruan terminalin e ri të Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.
Në mesin e 41 personave të arrestuar në rastin e dytë të korrupsionit, përveç Ozdemir janë edhe biznesmeni saudit Yasin al-Qadi, i akuzuar më parë për financimin e terrorizmit si dhe pronari i kompanisë së furnizimeve.
Al-Qadi ka investuar edhe në Shqipëri. Emri i tij u bë i njohur kur ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, përmes një urdhri i bllokoi asetet.
Yasin Al-Qadi, i cili e la Shqipërinë vite më parë, u akuzua për lidhje me Abdul Latif Saleh, i cili mban shtetësinë jordaneze dhe atë shqiptare dhe dyshohet të ketë lidhje me Xhihadin Islamik Egjiptian, një grup terrorist ky, i lidhur me Al- Kaedën.
Dyshimet e forta se Jasin Kadi kishte lidhje me terrorizmin bënë që të verifikoheshin dhe bllokoheshin të gjitha pronat e tij, vlera e të cilave shkon në miliona euro.
Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, pronat e sekuestruara të këtij shtetasi kapin një vlerë prej rreth 4 milionë euro. Sekuestrimi i tyre ka nisur që në vitin 2004.