Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj biznesmenit te gazit Ilir Karçini. Ky i fundit akuzohet se ka paguar për eleminimin fizik të rivalit të tij në biznes, Piro Bare.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit vlerësoi si të drejtë, vendimin e marrë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë ndaj Karçinit.
Biznesmeni Ilir Karçini u arrestua dy javë më parë nga policia e Tiranës, pak ditë pas arrestimit të të dyshuarit si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj.
Ne deponimet e tij para hetuesve, Sinanaj rrëfeu se biznesmeni Karçini e kishte paguar për të vrarë biznesmenin Piro Bare. Sakaq, Karçini ka mohuar çdo akuzë në drejtim të tij.
Avokati mbrojtës i Ilir Karçini, duke deklaruar pafajësinë e klientit të tij, bëri të ditur se, do e çojë çështjen për rekurs në Gjykatën e Lartë.



