Ambasada Amerikane në Tiranë: Kriminelët frikë nga drejtësia e vërtetë

32

Një akt frikacak, kështu e ka cilësuar ambasada amerikane në Tiranë, sulmin me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, ku ndodheshin dhe dy fëmijët e saj.
Në reagimin zyrtar, publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ambasada dënon me forcë sulmin ndaj gazetares dhe kërkon nga autoritetet shqiptare, të zbardhin sa më shpejt ngjarjen.
Gjithashtu, ambasada vë në dukje rolin e gazetares Lala në pasqyrimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarive kriminale.

Deklarata e plotë e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Si gazetare, Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj – sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë.