Altin Hazizaj, kreu i kësaj qendre shprehet se nevojitet një legjislacion më i fortë për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe më shumë vëmendje prej politikbërësve.
“Zgjedhjet parlamentare janë një moment shumë i rëndësishëm politiko-social për të refelektuar edhe mbi arritjet e bëra në garantimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Është momenti kur kandidatë të ndryshëm duhet të paraqesin alternativat për përmirësimin e situatës së mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri. Qeveria që do të zgjidhet duhet të vendosë në prioritet sigurimin e zbatimit të të drejtave të fëmijëve, përmirësimin dhe funksionimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, hartimin e programeve efikase dhe monitorimin e zbatimit të tyre. Këto hapa do të çojnë në rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve në Shqipëri”, tha ai
Rastet më shqetësuese të shfaqjes së dhunës në vendin tonë janë në familje, në shkollë dhe dhuna midis vetë fëmijëve. Sipas Komisioneres kundër Diskriminimit, Irma Baraku, bazuar në monitorimet e zhvilluara në shkolla të ndryshme, janë vetë fëmijët ata që diskriminojnë më shumë njëri-tjetrin”.
“Alo 116”, është një shërbim unik në dispozicion të fëmijëve në të gjithë vendin, i cili synon ngritjen e procedurave dhe standardeve të duhura në funksion të një shërbimi cilësor për fëmijët dhe të rinjtë në vend. Ai synon ti përgjigjet fëmijëve në momentet më të vështira të jetës së tyre, me anë të këshillimit për problemet dhe shqetësimet e tyre, informimit në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe referimit në shërbimet për të cilat fëmijët dhe adoleshentët kanë nevojë.