Vlorë-Llogara, rruga turistike shënon dëmtime, thuajse e pakalueshme

115

rruga shkarjeRreshjet e rëna kohët e fundit si dhe hedhja e skorjes në mënyrë të vazhdueshme gjatë periudhës së dimrit kur ka dëborë, ka bërë që segmenti Vlorë-Orikum-Llogara, gjatë kësaj periudhe të pësojë dëmtime pothuajse në të gjithë shtrirjen e tij.

Zona më problematike mbetet Dukat-Qafa e Llogarasë, një aks sa turistik aq dhe i domosdoshëm për të lidhur Vlorën me pjesën tjetër të Jugut. Mungesa e investimeve për një kohë të gjatë në këtë aks rrugor, ka bërë që ai të kthehet në një gjendje jo të përshtatshme për qarkullimin e  automjeteve, aq më tepër kur ka rreshje, të cilat rrisin edhe më shumë shkallën e vështirësisë së lëvizjes. Kudo dallohen qartë gropat gjigante, asfalti i dëmtuar si dhe zhvendosja e rrugës. Kjo gjendje është krijuar dhe si pasojë e derdhjes të ujit në rrugë, si dhe erozionit në pjesë të ndryshme.

Pjesa që i përket segmentit të Dukat –Fshat, është një rrugë që historikisht pëson shkarje, si pasojë e erozionit, madje shpesh herë janë vendosur dhe bariera mbajtëse, por që nuk kanë përballuar dot fuqinë natyrore. Automjetet duhet të ulin shpejtësinë se ky aks është me rrezikshmëri të larte si dhe rruga është devijuar si pasojë e shkarjeve me disa metra, dhe pjesërisht ajo ka rënë në humnerë.

Gjatë gjithë verës kjo rrugë ka qenë në këtë gjendje por shirat e vjeshtës e përkeqësuan edhe më tepër situatën. Prej kohësh nuk është ndërhyrë për rebalitimin e këtij aksi, ndërkohë që situata tregon vetë, që rikonstruksioni është mëse i domosdoshëm. Mungesa e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve si pasojë e shkrirjes së këtij institucioni në Qarkun e Vlorës ka sjellë mjaft probleme në mirëmbajten e rrugëve nacionale në tërësi.