Haxhinasto-Lupi: Heqje të taksës për transportuesit shqiptar të mallrave

62

haxhinastoMinistri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një vizitë pune një ditore në Romë ku u takua me homologun Italian  Maurizio Lupi. Heqja e taksës fikse për transportuesit shqiptarë, liberalizimi i shwrbimeve të transportit dhe angazhimi i Italisë në projektet madhore të infrastukturës në Shqipëri, ishin çështjet kryesore të takimit.

“Sfida jonë permanente është t’i japim substancë marrëdhënieve tona strategjike,  dhe në fushën e transportit dhe të infrastrukturës kemi shumë për të bërë”, tha Ministri Haxhinasto.

Si çështjet kryesore, Ministri nënvijëzoi atë të heqjes së taksave për transportuesit shqiptar të mallrave, duke cilësuar se përfitimet e përbashkëta nga rritja e volumeve do të jenë në gjëndje të kalojnë çfarëdo pengese. “Do të kërkoja që kjo masë të konsiderohet në menyrë shumë serioze, për të ndihmuar sektorin e transportit tokësor të mallrave; një sektor ky shumë i rëndësishëm për ekonominë Shqiptare”, shtoi Haxhinasto. Ai gjithashtu kërkoi, në kuadër  të integrimit të shërbimeve tona të transportit, që në fokus të jetë edhe liberalizimi i mëtejeshëm i lejeve ndërkombëtare të transportit të mallrave.

Duke u ndalur tek transporti, ministri paraqiti objektivin e qeverisë për rigjallërimin e transportit hekurudhor, duke theksuar si prioritare lidhjen me Maqedoninë, segmentin Tiranë-Rinas-Durrës dhe përmirësimin e lidhjeve në porte. Ai tha se përfshirja e aktorëve privatë Italianë do të ishte e mirëpritur.

Po ashtu,Haxhinasto solli në vëmendjen e homologut italian prioritetin e qeverisë për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës portuale shqiptare. “Në konceptin tonë strategjik ne duam të bëjmë një ndarje të punës në portet shqiptare, kryesisht porte pasagjerësh, turistike dhe peshkimi, dhe të ndërtojmë një port të ri në Shëngjin, një port i cili do ti shërbente të paktën tre vëndeve, Shqiperisë, Kosovës dhe Maqedonisë”- tha ai.

Ndër sfidat,Haxhinasto përmendi standartizimin e gjithë infrastrukturës rrugore, kryesisht elementet e sigurisë dhe sinjalistikës, mirëmbajtjen e sistemit rrugor duke filluar me Rrugën e Kombit. Ai përmendi gjithashtu  ndërtimin e një aeroporti të ri në jug të vendit i cili do të ndihmojë në shfrytëzimin e potencialeve turistike të tij.

Edhe Ministri Italian Lupi nga ana e tij vuri në dukje marrëdheniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe se italia e konsideron Shqipërinë një partner të rendësishëm. Lupi shprehu gadishmërinë e italisë për përfshirjen në realizimin e prioriteteve infrastrukturore të Shqipërisë.

Të dy ministrat ranë dakort për ngritjen e një komisioni të përbashkët italo-shqiptar, brenda 90 ditësh, për të konkretizuar në një marrëveshje zgjidhjen e problematikave dhe për të vendosur piketat e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e Transportit dhe Infrastrukturës.