I jepet lamtumira e fundit Skënder Sallakut

49

salk4Ditën e sotme janë zhvilluar homazhet në nder të aktorit të madh të humorit Skënder Sallakut, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Homazhet për Artistin e Popullit, Skënder Sallaku, janë organizuar në Teatrin Kombëtar.  Më pas trupi i pajetë i ‘Artistit të Popullit’, është përcjellë për në banesën e fundit në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Homazhe kanë zhvilluar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha me bashkëshorten e tij dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu bindjen se njerëz të tillë, si humoristi i njohur shqiptar, lënë pas vlera të cilat i bëjnë ata të jenë të përjetshëm dhe na bëjnë t’u jemi mirënjohës.

“Është një çast tepër i dhimbshëm të ndahesh me një artist tepër të madh aq më tepër me një artist të madh të humorit si ishte Skënder Sallaku. Por jam i bindur se njerëz të tillë, artistë të tillë lënë vlera të cilat i bëjnë ata të përjetshëm dhe na bëjnë të gjithëve të ndihemi të detyruar dhe mirënjohës. Ngushëllimet me të sinqerta gjithë familjarëve të z. Sallaku, të gjithë kolegëve të tij dhe jam i bindur se figura e tij do të jetë një figurë që do të ndihmojë brezat më të rinj për të ecur në këtë traditë të shkëlqyer që ai ka lënë pas”, ka theksuar Meta.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ndarja nga jeta e Skënder Sallakut është një humbje e madhe për artin tonë skenik. Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u shpreh se Skënder Sallaku ishte ikonë e humorit dhe vepra e tij do mbetet e paharruar. Gjithashtu homazhe kanë zhvilluar edhe personalitete të medias, të artit dhe të kulturës shqiptare.

Aktori i mirënjohur Skënder Sallaku u nda dje nga jeta në moshën 79-vjeçare. Një prej ikonave të humorit shqiptar, Sallaku vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Aktori i madh shqiptar mësohet se ka vdekur në orët e para të ditës së martë.

Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935, dhe është konsideruar si një nga aktorët tanë të humorit me skeçe dhe parodi të ndryshme ai e ka bërë publikun shqiptar të qeshë me shpirt.

Aktori është nderuar dhe me titullin e lartë ‘Artist i Popullit’.  Sallaku, njihet dhe si ish-kampion kombëtar në mundjen klasike. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” dhe ka kryer një kualifikim një vjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Fillimisht filloi punë si profesionist në Estradën e Kufirit, më pas si klloun akrobatik në cirk, duke dhënë një kontribut të papërsëritshëm në ecurinë e këtij profili sa të vështirë aq edhe të bukur.