Banda e tritolit, Berisha: Si në filmat e mafies

53

berisha-fbIsh kryeministri Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook në lidhje me arrestimet ebëra përsa i përket të ashtuquajturës banda e tritolit.

“Të dashur miq, 17 ditë më parë, pas një seriali thuaj të përditshëm tritoli në të katër anët e vendit, një bashkautor në vrasjet me tritol, N Gj, prishet në pazare me bosin e tij në vrasje, J S, dhe ky i fundit e kërcënon me ligjin e mafies. Pas kësaj, N.Gj për të shpëtuar kokën, vendos të denoncoj bosin e vet, një serial killer dhe anëtarët e tjerë të rrjetit vrastar dhe të parandalojë ekzekutimin e rradhës me tritol të grupit të tij. Menjëherë pas kërcënimit me jetë nga J S, për të shpëtuar kokën e tij, N Gj vrapon tek Prefekti i Fierit. Në këtë takim N.Gj kërkon mbrojtjen e Prefektit dhe i tregon atij planin e J S për të ekzekutuar me tritol, kundrejt pagesës, biznesmenin durrsak të naftës P B.   Sipas N Gj ekzekutimin e P B e kishte porositur biznesmeni fierak në fushën e gazit I K. Prefekti i tronditur thellë nuk deshi t’iu besonte veshëve, por ja preu shkurt: “unë nuk mbroj dot veten time jo të të mbroj ty”. N Gj kishte frikë të denonconte në policinë e Fierit, mbasi ai e dinte mirë se biznesmeni I K, që kishte paguar 150 mijë euro për vrasjen për hesap te tij, të bosit të naftës P B, e kishte nën kontroll të plotë policinë e Fierit dhe Vlorës.

Kështu që ai vendosi të denoncojë çdo gjë në Policinë e Durrësit. Ai dëshmoi para drejtuesve kryesorë të policisë së Qarkut të Durrësit duke mos e ditur se shkoji si cjapi tek kasapi, mbasi të dy oficerët që e dëgjuan, si drejtori i Qarkut ashtu dhe shefi i komisariatit të Durrësit, ishin lidhje të forta të biznesmenit I K që paguante për vrasjen e P B. Kështu, i ati i drejtorit A P kishte pikë të shitjes së gazit të I K, kurse tjetri kishte qenë shofer i I K për 8 vite dhe ishte vet I K që nëpërmjet bashkëshortes së tij, goca e tezes së ministrit, që e kishte emëruar në Durrës. Drejtuesit e Policisë së Durrësit e përcollën dhe ata të tronditur rrëfimin e N Gj por refuzuan që ta marrin në mbrojtje dhe i shpallën të pavërteta dëshmitë e tij.   Pas kësaj N.Gj, ish militant zyrtar i PS në Vlore, vendos ti drejtohet direkt Ministrisë së Brendshme pa ditur se dëshmitë e tij do të shkonin tek kushëriri i parë i gruas së I K. Në ministri e dëgjoi zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe dy të tjerë. Vendimi ishte marrë që të mos pranohej dëshmia e tij. Ata jo vetëm që nuk pranuan dëshminë e tij dhe kërkesën për ta mbrojtur por e nxorrën zvarrë nga zyra me një breshëri sharjesh dhe kërcënimesh. Tik taku i orës fatale për N.Gj, vrasës i penduar, nga halli po afronte. Dëshmitë e tij nuk i pranonte njeri. Atë e priste dënimi kapital. Atij i kishte mbetur si letër e fundit për të shpëtuar jetën denoncimi në media mbasi një dorë e zezë i bllokonte dëshminë dhe e ndiqte për ta eliminuar. I drobitur, i dëshpëruar, i pa shpresë, si njeri me fundin e jetës së tij, ai arriti në klandestinitet të plotë të hyjë në një gazetë.

Aty N Gj gjeti një trajtim krejt tjetër dhe pasi i ofruan një kafe ai filloi dëshminë e tij për kronikën e një vrasje të paralajmëruar, autoret, rrjetin, kumbarët, ndrikullat zyrtarë dhe jozyrtarë, të shumë të vrasjeve të tjera. Ndërkohë, tek dëshmonte, në telefonin e tij kishte një seri missed calls. Pas13 ditësh i telefononte drejtori i Policisë së Durrësit, i cili e ftoi ti përsërisë dhe një herë dëshminë mbasi atë të parën e kishte konsideruar të rremë. Kryekreu Rama dhe ndihmësi i tij për Policinë vrapuan të rrahnin gjoksin për megaoperacionin që në fakt ishte bllokimi për 13 ditë i dëshmisë së N Gj dhe largimi nga Shqipëria, pas njoftimit nga zyrtarët e shtetit, të dy ndërmjetësve më kryesorë midis porositësve dhe ekzekutorëve të vrasjeve me pagesë nga J S dhe grupi i tij. Kjo është e vërteta si në filmat e mafies të megaoperacionit të grupit të tritolit”, shkruan Berisha në Facebook.