Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare njoftohet të ketë vendosur programe të qëllimshme përgjimi në gati 100 mijë kompjutera në mbarë botën. Këto programe kompjuterike i kanë lejuar Shtetet e Bashkuara të kryejnë përgjime dhe të krijojnë një autostradë dixhitale për të ndërmarrë sulme kibernetike.
Gazeta The New York Times thotë se shumicën e programeve NSA-ja ka arritur ta vendosë duke patur qasje në rrjetet kompjuterike, por ashtu ka përdorur edhe një teknologji sekrete, që i lejon të ndërhyjë dhe të ndryshojë të dhënat e kompjuterave edhe kur ata nuk janë të lidhur në internet.
Raporti, citon dokumenta të NSA-së, zyrtarë amerikanë dhe ekspertë kompjuterash.
Njoftimi vjen ndërsa presidenti Obama përgatitet të njoftojë të premten ndryshimet që kërkon të bëjë në aktivitetet e spiunazhit të NSA-së. Gazeta njofton se kërshilltarët e zotit Obama thonë se ai synon të pakësojë programet e përgjimit, por nuk do të zbatojë të gjitha rekomandimet e komisionit që shqyrtoi çështjen.
Sipas gazetës presidenti pritet të kufizojë qasjen ndaj grumbullimit të informacioneve rreth miliona telefonatave që bëjnë amerikanët, të vendosë kufizime të reja për monitorimin e telefonatave të udhëheqësve të huaj dhe të emërojë një avokat që të mbrojë shqetësimet e privatësisë para gjykatës sekrete për çështjet e zbulimit.
Gazeta thotë se NSA-ja ka vendosur me sukses programe në objektiva të tillë si sistemet ushtarake ruse, sistemet e përdorura nga policia meksikane dhe kartelet e drogës, grupet e tregëtisë brenda Bashkimit Evropian dhe partnerët anti-terrorizmit si Arabia Saudite, India dhe Pakistani.
Gazeta New York Times thotë se nuk ka prova që programe të tilla janë përdorur brenda Shteteve të Bashkuara.