“Po nuk doli në media, nuk ka ndodhur”. Kjo është filozofia e qeverisë dhe e Ministrit të Brendshëm përsa i përket luftës ndaj kriminalitetit. Me këtë orientim, Ministri i Brendshëm po synon të manipulojë të dhënat e kriminalitetit, sipas një mekanizmi të mirëorganizuar, që nis me mosregjistrimin e ngjarjeve në terren, dhe më tej akoma me përpjekjen për të ndikuar tek mediat në mosraportimin e lajmeve të kronikës së zezë.
Në dhjetor, sipas burimeve zyrtare, kanë ndodhur dy ngjarje të rënda në Tiranë, një vendosje tritoli në një biznes në zonën e Pallatit me Shigjeta dhe një grabitje me armë në zonën e Yzberishtit, të dyja këto ngjarje që nuk janë pasqyruar në buletinet e policisë, ndërkohë informacioni nuk i është dhënë as medias. Gazetarët e kronikës së zezë të gazetave dhe televizioneve po kalojnë periudhën më të vështirë të punës së tyre, pasi deviza e Ministrit dhe e qeverisë është të mos konfirmohet informacioni, të mos flitet me mediat, në mënyrë që lajmet të mos botohen.
Fshehja e krimeve ka pasoja shumë të rënda publike. E para, qytetarët e dëmtuar ndihen të tradhtuar kur shohin se ngjarja e rëndë ndaj tyre mbahet sekret. E dyta, krimi vetë stimulohet edhe më shumë, duke qenë se nuk bëhet publik aktiviteti i tij. I gjithë mekanizmi i manipulimit të të dhënave orkestrohet nga Ministri vetë, i cili është edhe kryeredaktori i buletineve të policisë, në kundërshtim me ligjin. Kjo përpjekje nuk e rrit aspak sigurinë publike dhe nuk e ul kriminalitetin. Në dy ditët e fundit kemi 5 të vrarë. Përplasje me armë e grabitje kudo, më të fundit në Vlorë, në Korcë, në Durrës ku agresorët kanë pasur edhe makinë me alarm policie. Grabitjet dhe maskat janë shtuar, sepse profesionistët e policisë janë zëvendësuar me militant.
Pasiguria e qytetarëve është rritur, sepse Ministri i Brendshëm bën shfaqje mediatike dhe në vend të përgjegjësisë, ushtron trukimin e të dhënave. Gjobat dhe arbitrariteti i policisë ndaj qytetarëve jane shtuar. Qarkullon një urdhër në radhët e uniformave blu në Tiranë, se duhen vënë çdo ditë 1000 gjoba. Nuk ka rëndësi se sa shkelje ka, si dhe ku lëvizin qytetarët me automjetet e tyre. Qeverisë i duhen 1000 gjoba në ditë. Ky është urdhër. Bravo çuna! Hakmerruni pa ligj e pa rregulla, por deri kur do mund ta bëni këtë”, u shpreh Ristani.