Zbardhet skema e mashtrimit me TVSH-në

68

krimi ekonomikHetimi i Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me policinë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor ka çuar në zbardhjen e një skeme mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e cila dyshohet se arrin në vlerën e 26 milion dollarë.

Policia ka njoftuar se është bërë i mundur arrestimi i 10 personave ku pjesa më e madhe e tyre ishin  administratorë kompanish që vepronin në mbledhjen e metaleve dhe skrapit, të destinuar për industrinë metalurgjike.

Ata akuzohen për falsifikimin dokumentash dhe mashtrim, pasi dyshohet se kanë krijuar një skemë për përfitim të rimbursimit me TVSH-në, duke krijuar shoqëri të ndryshme e duke realizuar përmes tyre operacione të rreme shitje blerjeje.

Këto Kompani ishin regjistruar prej disa nga të arrestuarit, por në emër të personave të cilët sipas hetimit nuk kishin mundësi për kryerjen e aktiviteteve tregtare.

Disa javë më parë, një tjetër skemë mashtrimi u zbulua në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, për nje vlerë prej afër 5 milion dollarë, ku ishin përfshirë edhe zyrtarë të tatimeve.