Valë e re incidentesh dhune në Shkup

57

shkup dhuneValë e re incidentesh mes të rinjve në qytetin e Shkupit. Personat që sulmuan me gurë dhe lënduan 7 të pafajshëm, gjatë orëve të para të mëngjesit, janë kapur dhe u është caktuar masa e arrestit 30 ditë paraburgim. Një nga viktimat e dhunës, një 19 vjeçar nga Shkupi, është në gjendje kome dhe gjendet në Spitalin e Qytetit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, autorët e rrahjes janë identifikuar nga vetë të lënduarit. Pasi janë marrë në pyetje, ndaj personave me inicialet H.M 25 vjeç, B.S 28 vjeç, Z.J 26 vjeç dhe L.P 27 vjeç, që të gjithë nga Shkupi, janë paditur për pjesëmarrje në akt dhune, me pasojë lëndime të rënda në trup. Ata kanë ndërmarrë aktin e dhunës, rreth orës 3:30 të mëngjesit, pa asnjë arsye, ndaj grupit të rastësishëm prej 7 të rinjsh, pranë objektit të ri të Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë, edhe mbrëmë rreth orës 18.40 në Bit Pazar, përkatësisht në njërin nga stacionet e autobusëve, është sulmuar një 18 vjeçar me inicialet H.S nga disa sulmues të cilët kishin zbritur nga autobusi me numër 50. Ndërkohë 1 orë më vonë, një tjetër grup të rinjsh kanë sulmuar me gurë autobusin me numër 24. Nga sulmi ka pësuar me lëndime në trup një vajzë e moshës 18 vjeçe me inicialet M.A. nga fshati Çiflik i Shkupit. Ndaj valës së re të sulmeve LSDM-ja i bëri apel MPB-së që të bëjë një vlerësim real të ngjarjeve, dhe të gjejë motivuesit dhe prapavijën e tyre. Për LSDM-në, në këto 7 vite, Jankullovska përflitet vetëm për paaftësi.

“Qëndrimi i Jankullovskës për incidentet e para 10 ditëve ishte se ‘një njeri që mendon me mendje të shëndoshë nuk do të mundej të bënte një projektim monstruoz dhe të keqpërdorte fëmijët, me qëllim krijimin e krizave’, por në të njëjtën ditë, kryeministri Gruevski konstatoi se ‘ngjarjet e tilla përsëriten çdoherë kur afrohet ndonjë datë e rëndësishme siç është tani samiti i Këshillit Europian”.

Ndërkaq, ndërsa reagimi për kapjen e autorëve të rrahjes së mbrëmshme ka qenë i rrufeshëm, nuk ka ende zbardhje të incidenteve të mëparshme. Janë disa raste me dhjetëra viktima dhune shqiptarësh, fajtorët për të cilët ende janë në gjendje të lirë.