Me ftesë të Shoqatës “Scanderbeg” me qendër të Fermo të Italisë, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të monumentit të Heroit tonë Kombëtar në sheshin dedikuar Skënderbeut në këtë rajon. “Ne meritojmë të jemi pjesë e Evropës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Evropian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO-s”, -u shpreh Meta.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin autoritetet më të larta lokale të zonës, përfaqësues të parlamentit italian, përfaqësues të senatit italian, ambasadori i Shqipërisë në Itali, z. Neritan Ceka, zv.kryetari i kuvendit të Kosovës, z. Xhavit Halili, etj.
Meta shprehu mirënjohjen ndaj komunitetit shqiptar në Itali për kontributin e tyre ndërsa vlerësoi bashkëjetesën pozitive të këtij komunitetit në Itali si një shprehje e miqësisë që dy vendet dhe popujt kanë me njeri-tjetrin. Ai theksoi se, ashtu siç Skënderbeu dha për shqiptarët mësimin se “Bashkimi e bën fuqinë!”, të gjithë sot duhet të reflektojnë për një bashkëpunim të ngushtë me njeri-tjetrin, për të arritur suksese dhe për të fituar sfidat që kombi shqiptar ka përpara.
“Ky mësim është i vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ku kemi nevojë të bashkohemi gjithnjë e më shumë, të bashkëpunojmë gjithnjë e më shumë për të spikatur, për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të popullit tonë dhe kombit tonë. Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Evropës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Evropian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO-s”, -u shpreh Meta. Në fund të ceremonisë, prefektja e provincës së rajonit Fermo, Emila Zarrilli nderoi kryetarin e kuvendit me një çmim kontributiv.



