Gjykatat nën reformë, ikin 70 sekretarët e institucioneve në rrethe

52

Nasip-NacoLigji për Gjykatën Administrative ka futur në sistem reformimi edhe sistemin e drejtësisë. Gjykatat e vendit do përfshihen nga reformat.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka sqaruar dje edhe arsyen e largimit nga puna të 70 sekretarëve gjyqësorë në të gjitha gjykatat e vendit, duke mohuar se kjo është një fushatë ndaj gjyqësorit, por e cilësoi si një reformë të domosdoshme. Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i Drejtësisë bëri të ditur se këto largime janë pjesë e reformës që ka nisur në sistemin e drejtësisë, pjesë e të cilës është edhe fillimi nga puna e gjykatës Administrative.

“Në 4 nëntor ka nisur nga puna Gjykata Administrative, duke nisur kështu procesin e një riorganizimi të sistemit gjyqësor në Shqipëri. Është caktuar numri i përgjithshëm i gjyqtarëve dhe punonjësve, duke zbatuar edhe parashikimet e buxhetit të vitit 2013, si dhe nëpërmjet konkurrimit janë plotësuar vendeve vakante. Pjesa tjetër, pra sekretarëve gjyqësor të larguar nga puna, ka ardhur pikërisht si rrjedhojë e këtij reformimi të sistemit të drejtësisë, në përputhje me ligjin, duke zbatuar me korrektësi kodin e punës”, tha Naço.

Në kuadrin e këtyre reformave planifikohet dhe ngritja e Byrosë së hetimit, e cila do t’i hapë rrugën luftës ndaj korrupsionit deri në nivel zyrtar, krimit të organizuar, trafiqeve dhe pastrimit të parave.