Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Papoulias ndanë bindjen se tashmë ka filluar një erë e re bashkëpunimi mes dy vendeve dhe se marrëdhëniet dypalëshe do të forcohen më tej përmes Komisioneve të përbashkëta të punës dhe përmes frymës konstruktive dhe vullnetit të sinqertë. Në këtë kuadër, u vu theksi mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Papoulias ndanë bindjen për rëndësinë që kanë minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar në Greqi, si ura të forta bashkëpunimi dhe miqësie mes dy popujve dhe dy vendeve fqinje.
Presidenti Papoulias, pasi e uroi z. Meta për marrjen e detyrës së Kryetarit të Kuvendit, shprehu mbështetjen e plotë të Greqisë ndaj Shqipërisë, dhe veçanërisht ndaj objektivave të vendit në procesin e integrimit evropian. “Një Shqipëri në Bashkimin Evropian, do të jetë kontribut jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më tej”, u shpreh Presidenti Papoulias.
Kryetari i Kuvendit Meta shprehu bindjen se pas vizitës dhe mesazheve domethënëse të Presidentit Papoulias në Tiranë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shënojnë një përparim të dukshëm. “Në këtë drejtim, fryma dhe parimet e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe parimet e Bashkimit Evropian, janë baza e trajtimit konstruktiv dhe e gjetjes së zgjidhjeve racionale të çështjeve të mbartura nga e kaluara”, u shpreh z. Meta.