Në raundin e parë të votimit, sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, janë zgjedhur kryetarët e komunave Drenas – Nexhat Dermaku (PDK), Fushë-Kosovë – Burim Berisha (LDK), Deçan – Rasim Selmanaj (AAK), Istog – Haki Rugova (LDK), Kaçanik – Besim Iljazi (PDK), Podujevë – Agim Veliu (LDK, Skënderaj – Sami Lushtaku (PDK), Shtimje – Naim Ismajli (PDK), Mamushë – Arif Butuç (PP turke e Kosovës) , dhe në Han të Elezit – Rufki Suma (kandidat i pavarur).
KQZ nuk ka publikuar asnjë rezultat për katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicën e veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.
Te dhënat paraprake të KQZ-së
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar të dhënat paraprake për zgjedhjet e djeshme lokale për qytetet Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjakovë. Të dhënat janë në këto pasqyra që i ka hartuar dhe publikuar KQZ.
Kosovë, pjesëmarrja deri në orën 15:00 është mbi 33%, pengesa në veri
Në orët e pasditës ka filluar të shtohet dukshëm pjesëmarrja e qytetarëve në votime. Sipas të dhënave të KQZ-së, p Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në gjithë territorin e Kosovës, deri në orën 15:00, ka arritur në mbi 33, 14 për qind.
Në KQZ, por edhe zyrtarë të tjerë, sidomos nga OJQ-të, të kyçura në vëzhgimin e procesit zgjedhor presin që në orë në vijim, deri në orën 19 përqindja e pjesëmarrjes së kosovarëve në votime të shtohet edhe më shumë.
Kosovë, pjesëmarrja deri në orën 11 është mbi 12%, pengesa në veri
Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në Kosovë, deri në orën 11, ka arritur deri në 12 % në gjithë territorin e Kosovës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Vemendje ka marrë zona e veriut të Kosovës, ku është raportuar për pengesa në votime. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha për Radion Evropa e Lirë, se disa grupe të caktuara në veri, nuk janë duke lejuar qytetarët që lirshëm të shprehin vullnetin e tyre qytetar për të votuar.
Daka tha se para dhe gjatë fillimit të hapjes së vendvotimeve komisionarë janë penguar në punën e tyre. “Për këtë gjendje janë informuar edhe Policia e Kosovës edhe institucionet e tjera relevante. Mirëpo, do ta njoftojmë edhe Bashkimin Evropian, edhe misionin e OSBE-së, edhe pse OSBE-ja është e informuar, sepse është në pjesën veriore. Me gjithë ato reagime nga grupe të caktuara, komisionarët janë duke qëndruar në vendvotime. Ata janë aty në këshillat e vendvotimeve, janë brenda, janë duke punuar dhe do ta shohim më tutje situatën”,- u shpreh ajo.
Kosovë, në veri thirrje për bojkot të zgjedhjeve
Në Kosovë kanë nisur votimet për zgjedhjet komunale. Këto janë zgjedhjet e dyta lokale, që zhvillohen që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, e cila ka bërë simbolikisht hapjen e votimeve u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje që të kryejnë detyrimin e tyre kushtetues.
Ndërkohë ka votuar edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në qendrën e votimit në shkollën “Faik Konica”. Kryeministri Thaçi deklaroi pas votimit se, këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi mbahen për herë të parë në tërë territorin e republikës së Kosovës dhe se jemi përpara në rrugën e liberalizimit të vizave dhe në procesin e stabilizim asocimit.
“Këto janë zgjedhjet e para të lira që po organizohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhe janë historike për shtetin tonë të ri. Kaluam një vit të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë me sukses ta plotë. Tani kemi hapur rrugën e sigurt për integrime evropiane, procesin e stabilizim asocimit dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Këto zgjedhje janë test evropian për Republikën e Kosovës. Unë edhe njëherë sot dëshiroj t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në fushatë, falënderoj të gjithë spektrin politik për një fushatë korrekte, të qetë, të konkurrencës së lirë. Edhe sot kam besim të plotë se shteti ynë Kosova dhe qytetarët e Kosovës do të kalojnë testin evropian për të ardhmen e tyre, për të dëshmuar rendin demokratik, për të dëshmuar rolin aktiv të demokracisë dhe perspektivë të sigurt evropiane. Pra, sot të gjithë jemi të angazhuar për Kosovën evropiane”,- tha Thaçi.
Edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të dalin dhe të votojnë.
“Këto zgjedhje janë test i pjekurisë sonë politike, janë test i demokracisë sonë të brendshme dhe janë dëshmi e një shteti gjithëpërfshirës, të cilin ne jemi duke e krijuar si Republikë e Kosovës”,-tha ajo.
Përveç thirrjeve pozitive për dalje masive në votime janë vërejtur edhe grupime të cilat kanë bërë thirrje për bojkot të këtyre zgjedhjeve. Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë, por në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.
“Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, – tha Hoti.
Në garë për pushtetin lokal në 38 komunat e Republikës së Kosovës janë 33 parti politike, 52 iniciativa qytetare, 16 kandidatë të pavarur dhe 2 koalicione me gjithsej 7 mijë e 932 kandidatë. 224 kandidatë garojnë vetëm për kryetarë komunash.Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën është 798, ndërsa numri i vendvotimeve është 2 mijë e 366.