PS fiton zgjedhjet në Korçë me 10 mijë vota diferencë ndaj PD-së

66

s-f-sPartia Socialiste ka fituar zgjedhjet në Korçë. Sotiraq Filo, Kandidati i PS-së ka arritur të fitoje me 10.670 vota diference duke marrë në total 15953 vota, ndërsa kandidati i djathtë, Sotiraq Stratobërdha, ka marrë vetëm 5283 vota.

Procesi i numërimit të votave ka nisur mbrëmë rreth orës 22:00 dhe ka vijuar pa ndonjë problem deri në shpalljen e rezultatit.

Mbyllet votimi në Korçë, KQZ: Pjesëmarrja 30.9%

Është mbyllur votimi në 101 qendrat e votimit në qytetin e Korçës, ku sot u votua për kreun e ri të bashkisë së këtij qyteti.

Pjesëmarrja e votuesve ka qenë krahasimisht më e pakët, ndryshe nga zgjedhjet e dy viteve më parë për Bashkinë e Korçës, por edhe nga ato të 23 qershorit.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, deklaroi se pjesëmarrja për qytetin e Korçës ishte 30,9%. Procesi i votimit u zhvillua pa incidente, por nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat nga ana e të dy shtabeve elektorale.

Partia Demokratike ka akuzuar sot shumicën qeverisëse dhe kandidatin e saj në Korçë për ushtrim presioni ndaj votuesve.

”E gjithë administrata e Bashkisë Korçë ndodhet në shkollën ”Raqi Qirinxhi”, ku po u bëhet presion votuesve”, –  kane deklaruar përfaqësues të shtabit elektoral të PD-së.

Por, akuzat jane hedhur poshtë nga kandidati i PS në Korçë, Sotiraq Filo i cili i bërë apel qytetarëve për votim masiv.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme ndaj ftoj qytetarët të votojnë masivisht. Sa për akuzat e PD, nuk kam shkuar në atë shkollë që përmendin ata, vetëm sa kam kaluar aty kalimthi në atë qendër votimi”.

Korçë nisin votimet, situata zgjedhore e qetë

Korça voton sot për kreun e ri të bashkisë, pas dorëhejqes së Niko Peleshit, i cili u përfshi në kabinetin e qeverisë Rama,si zv/kryeministër.

71 800 zgjedhës, në qytetin e Korçës, pritet t’i drejtohen sot kutive të votimit, për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të qytetit, ku do të zgjedhin ndërmjet Sotiraq Filos që kandidon në koalicionin e majtë, i mbështetur nga PS-LSI e FRD dhe Sotiraq Stratobërdhës në koalicionin e djathtë..

Sotiraq Filon,me profesion inxhinier elektrik, prej vitit 2007 mban postin e zv/ kryetarit në bashkinë e Korcës, ndërsa Sotiraq Stratobërdha, ish-deputet në legjislaturën e parë ,me profesion jurist, aktualisht mban postin e kancelarit në prokurorinë e rrethit, në qytetin juglindor.

Zyrtarisht procesi i votimit nisi në orën 07:30 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 18:00.

Gjithsej do të jenë 101 kuti votimi që do të hapen dhe numërohen në ambientet e Pallatit të Sportit, “Tamara Nikolla”.