Në vitin 2002, në Shqipëri u zbuluan 16 ton armatim kinez me përbërje kimike, të cilat datonin që nga regjimi komunist dhe ishin vendosur këtu në mesin e viteve ‘60. Edhe pse kjo çështje mbeti larg vëmendjes së mediave, qeveria shqiptare kërkoi ndihmë për asgjësimin e tyre. Për këtë çështje shkroi gazeta amerikane “Washington Post”.
Pas publikimit të këtij lajmi, ish-senatori amerikan, Richard Lugar vendosi që të ndërmarrë nismën për eliminimin e këtyre armëve. Ky mision iu besua kompanisë “Eisenmann AG”, e cila solli edhe pajisjet e nevojshme për asgjësimin e mbetjeve, të cilat kishin përmbajtje ipriti. SHBA-të dhanë një shumë prej 45 milionë dollarësh për asgjësimin e tyre. Në vitin 2007, qeveria “Berisha” i deklaroi armët kimike të Shqipërisë si 100 % të asgjësuara. Gjithsesi, edhe pse armët janë asgjësuar, mbetjet kimike janë ende këtu, përkatësisht në Qafë Mollë.
Vendi i ku janë depozituar mbetjet kimike në Qafë Mollë nuk i plotëson kushtet, ndaj edhe këto lëndë nisën të rridhnin në vitin 2008. SHBA-të punësuan një firmë për të rregulluar problemin, por kjo e fundit u tërhoq, duke thënë se problemi ishte më kompleks. Kontenjerët me arsenik dhe mërkur kishin patur rrjedhje. Firma amerikane vetëm sa i ripaketoi këto mbetje, por ato janë ende aty, siç tregojnë edhe fotot.