Nga këqyrja e vendit të ngjarjes grupi hetimor ka konstatuar se janë dëmtuar muret, dyert e dritaret e katit ku ishte vendosur sasia e eksplozivit. Pak orë pas vendosjes së tritolit në derën e Latif Nikollës, policia ka mundur të zbardhë ngjarjen si dhe të identifikojë autorin duke e shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga policia e Krujës bëjnë me dije se autori i dyshuar i vendosjes së tritolit në derën e banesës së Nikollës, ka qenë pikërisht ish-dhëndëri i kësaj familje, Albert Roshi. Ai është 27 vjeç, është banor i të njëjtit qytet dhe mësohet se gjithçka ka nisur pas prishjes së fejesës mes tij dhe vajzës së familjes Nikolla. Kjo fejesë është ndërprerë rreth 6 muaj më parë. Policia është bazuar vetëm në dëshminë e familjes së sulmuar për të shkuar tek autori dhe motivi i këtij shpërthimi. Referuar të dhënave të policisë bëhet me dije se familjarët e vajzës kanë deklaruar se edhe më herët autori i ngjarjes i ka kërcënuar me jetë.