PD: Rama po vë pasuritë kombëtare në duart e klaneve të tij

55

Laura-Vorpsi-okPartia Demokratike nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka reaguar në lidhje me emërimet e fundit në krye të Albpetrolit, OST dhe KESH. PD akuzon Ramën, se po vë gjithçka në duart e klaneve të tij.

“Emërimi i sotëm i drejtorit të Albpetrolit është shembulli i skemës që ka kryeministri Rama për të vënë asetet kombëtare, shërbimet, dhe pasuritë e shqiptarëve në duart e klanit të tij privat.

Drejtori i ri i Albpetrol njihet si personi më i afërt dhe i besuar i Koço Kokëdhimës, që ka drejtuar për vite me radhë firmat e tij private. Pa kaluar dy javë nga marrja e detyrës, Rama po shpërblen botuesin, mikun dhe ideologun e tij, Kokëdhima.
Ky është një emërim në konflikt të pastër interesi. Kjo pasi z. Puka do të jetë titullari i një institucioni me të cilin z. Kokëdhima ka marrëdhënie biznesi dhe debit-krediti, dhe Puka deri më sot ka qënë administratori i firmave të z. Kokëdhima.

Me emërimin e sotëm, mesazhi i z. Rama për shqiptarët është ky; unë do të qeveris si të dua vetë, me kë të dua vetë. Do të qeveris për të shpërblyer miqtë dhe klientët mi. Do të qeveris pa respektuar ligjet dhe normat publike.

U deshën më pak se dy javë për të vërtetuar denoncimet e Partisë Demokratike mbi modelin Rama. U deshën më pak se dy javë për të parë se në duart e kujt ka rënë qeveria e vendit.

Z. Kokëdhima, e gëzofsh Albpetrolin”, – deklaroi Vorpsi.