Mbi 10,000 delegatë nga Britania e Madhe dhe përfaqësues nga partitë motra në botë morën pjesë në këtë Konferencë vjetore, në të cilat u shtruan tezat themeltare ideologjike mbi të cilat do të mbështetet fushata zgjedhore e laburistëve në 2015.
Ralf Gjoni si përfaqësues i LSI-së në këtë event, zhvilloi edhe disa takime me krerë të lartë të Laburistëve, veçanërisht me ekipin në hije të politikës së jashtme të partisë. Gjoni u takua me Douglas Alexander, Ministër i Jashtëm në Hije, Emma Reynolds, Ministre për Evropën në Hije, Jim Murphy, Ministër i Mbrojtjes në Hije si dhe me ekipin e sekretariatit ndërkombëtar. Gjithashtu Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së u takua edhe me Kryetarin e Partisë Laburiste Ed Miliband dhe me Nën-Kryetaren Harriet Harman gjatë punimeve të kësaj konference.
Gjatë këtyre takimeve, Ralf Gjoni i informoi miqtë laburistë për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri si dhe mbi prioritetet e koalicionit të ri qeverisës. Ai u shpreh se Shqipëria ka hyrë në një epokë të re të integrimit evropian dhe theksoi se mbështetja e Partisë Laburiste si parti pro-evropiane do t’a shtonte peshën e mbështetjes që Britania e Madhe i jep Shqipërisë në këtë drejtim.
Ministrja për Evropën në Hije Emma Reynolds, rikonfirmoi angazhimin e pandryshuar të Laburistëve për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit dhe shprehu dëshirën për të forcuar lidhjet ndër-parlamentare si një urë miqësie mes dy vendeve dhe mes dy partive.
Gjatë takimeve të tij, Ralf Gjoni kërkoi gjithashtu mbështetjen laburiste për rishikimin e politikave të liberalizimit të vizave nga Britania e Madhe, si një lehtësim për qytetarët shqiptarë dhe si kontribut për rritjen e shkëmbimeve akademike, tregtare e njerëzore mes dy vendeve.
I sapokthyer nga Konferenca Laburiste, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së Ralf Gjoni u shpreh: “Dua të falënderoj Partinë Laburiste për ftesën që i bëri Lëvizjes Socialiste për Integrim në Konferencën vjetore në Brighton, dhe ndjehem tepër i inkurajuar pas kësaj vizite se forcimi i lidhjeve mes LSI dhe Partisë Laburiste do të kontribuojë edhe në forcimin e mbështetjes britanike për integrimin evropian të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet dypalëshe”.