Frika nga “çimkat”, fushatë pastrimi në Kryeministri

57

microcamere-smallFrika nga përgjimet e paligjshme nga ish-qeveria Berisha ka bërë që të ndërmerret një fushata kontrolli imtësor në çdo cep dhe objekt të Kryeministrisë.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shqiptarja.com”, një nga funksionarët e shtetit, i cili nuk dëshiron të bëhet publik, ka pohuar se po kontrollohet çdo gjë me detaje në godinën e Kryeministrisë.

“Kemi thirrur ekspertë për të kryer një kontroll, por sigurisht që kjo nuk mjafton. Për më tepër që nuk mund të kemi ende besim në të gjitha strukturat e shtetit”, – është shprehur funksionari.

Mendohet që në godinën e Kryeministrisë dhe në zyrat e ministrive, të jenë  vendosur përgjues nga qeveria e mëparshme, e cila ka qenë akuzuar shumë herë për përgjime jo të ligjshme.

Përveç objekteve si: divanët, karriget, tavolinat, pikturat, printerat, fotokopjet etj…, një kontroll i veçantë nga ekspertët përkatës, do t’u bëhet kompjuterave, sidomos në programet që ato mbartin, pasi aty është edhe rrezikshmëria më e madhe e përgjimit të dokumenteve dhe postës elektronike.