Fotot skandal, WC-ja alla turka e Berishës

64

foto nga kryeministriaKryeministri Edi Rama reagon nga SHBA lidhur me deklaratat e fundit të paraardhësit të tij për gjendjen e selisë së Kryeministrisë. Ai ka zgjedhur të përgjigjet me publikimin e një tjetër cikël fotosh në Facebook, Kryeministri shpreh keqardhje për rrënimin e një vendi të rëndësishëm të shtetit shqiptar, siç e cilëson ai, është dhe një godinë me vlerë historike. Në një cikël fotosh, Rama ka treguar situatën e selisë qeveritare në çdo cep të sajin. Madje, mes fotosh mund të gjesh banjën alla turke ne oborrin e pasmë të godinës. Fotot me shkresat e hedhura përtokë dhe ambientet e përdorura si depo mobiliesh të hedhura, kanë tronditur opinionin që u njoh me to në rrjetin socila në FB

“Godina e rrënuar”

 “Keqardhje për reagimet jodinjitoze lidhur me publikimin e fotove të mjediseve të kryeministrisë, prej atyre që për vite kanë hyrë çdo ditë në këtë godinë, po s’kanë pasur sy për të parë rrënimin, pisllëkun e shijen gjithnjë e më vulgare që kanë pllakosur një vend kaq të rëndësishëm të punës në shtetin shqiptar, që përpos të tjerash është edhe një prej godinave me vlerën më të rëndësishme historike e arkitektonike të vendit tonë”, – shkruan Rama në Facebook pas reagimeve të ish-kryeministrit Berisha lidhur me gjendjen se si ai e la godinën e Këshillit të Ministrave.

Me kontribut vullnetar

 Më herët Rama ka sqaruar se vendi nga ku zhvillon punën pushteti ekzekutiv do të rikthehet në identitet, në projektin e tij fillestar të vitit 1940-1941. Në përgjigje të deklaratave të opozitës ai ka pohuar se plani origjinal italian do të rikthehet në jetë pa bërë asnjë shpenzim shtesë nga buxheti i shtetit, por nëpërmjet kontributeve vullnetare. Duke publikuar edhe 13 foto të reja nga punimet që janë duke u kryer, sipas tij, falas në ndërtesën e Kryeministrisë, sipas planit origjinal italian, kreu i Qeverisë thekson: “Me kontribut vullnetar, zero lekë nga buxheti i shtetit”. Menjëherë pas betimit, kryeministri Rama ka urdhëruar rikthimin në identitet të godinës kryeministrore. Përveç arredimeve brenda saj, puna ka vijuar dhe jashtë duke hequr murin rrethues dhe kangjellat të vendosura nga ish-kryeministri Fatos Nano në vitin 2004. Me heqjen e rrethimit është vendosur që hekurat të dërgoheshin në Parkun Kombëtar të Butrintit. “Këto hekura i falen Parkut Kombëtar të Butrintit. Po të mos kishte vlerë praktike nuk do kishte vlerë simbolike. Parku i Butrintit po sjell të ardhura dhe duhet ruajtur. Simboli i rrethimit aktual është prej betoni dhe ndryshimi i tij dhe vendosja e kangjellave është më estetike. Këto kangjella shkojnë në Butrint dhe kështu shprehet shqetësimi i qeverisë së re për sajtet arkeologjike dhe më tepër për ato që janë ajka”, – ka sqaruar Artan Shkreli i cili së bashku me Auron Taren janë kujdesur për ndryshimet në selinë kryeministrore, brenda dhe jashtë saj. Vendimi i Qeverisë është vlerësuar dhe nga Tare, i cili ka sqaruar se Parku Kombëtar i Butrintit ka nevojë për më tepër për estetikë se mbrojtje, por një ndërhyrje e tillë do i japë një imazh ndryshe përqark. “Sot në 2013 dhe pse Butrinti është qendra kryesore arkeologjike në Shqipëri, kjo zonë vuan për administrimin qendror. Pas 2005 u prenë menaxhimet. Kishte një grup punëtorësh që kishin eksperiencë, ndërsa më pas punimet u bënë me tenderë dhe shumë pak para shkonin në qendër. Por jam i bindur se në të ardhmen do shihni ndryshime të mëdha”, – ka pohuar Tare. Por të gjitha këto ndryshime nuk janë pritur aspak mirë nga opozita shqiptare e cila përditë ka një reagim të ri për atë çka po ndodh në vendin ku Berisha qëndroi për tetë vite me radhë

BerishaPunimet te Kryeministria, pa prokurim

 “Gjatë këtyre viteve, janë pritur shtetarë të shumtë, madje edhe më të rëndësishëm të botës…ata kanë shprehur vlerësim pozitiv për mjediset, sallat, zyrat, korridoret dinjitoze”

Jo luks, por elegant dhe dinjitoz e ka quajtur arredimin e Kryeministrisë Berisha për kohën kur drejtonte qeverinë. Ai ka reaguar në FB për kthimin në identitet nga stafi i Ramës të godinës 70-vjeçare të Kryeministrisë. “Në mjediset e Kryeministrisë gjatë këtyre viteve, janë pritur shtetarë të shumtë, madje edhe më të rëndësishëm të botës. Me kënaqësi mund t’ju pohoj, se ata kanë shprehur vlerësim pozitiv për mjediset, sallat, zyrat, korridoret dinjitoze të ndërtesës me arrendimin e tyre, jo luks, por elegant dhe me shje” shkruan ish kryeministri Sali Berisha. “Gjatë viteve, me investime modeste, prokurime sipas ligjit, mjediset brenda dhe jashtë ndertesës, janë mbajtur shumë mirë. Muajin e fundit zyrtarët e Kryeministrisë me porosinë time, kanë bashkëpunuar çdo ditë me stafin e Ramës për një dorëzim materiali sa më të rregullt”, pretendon Berisha. Por, -vazhdon ish kryeministri,- Edvini, sapo hyri në Kryeministri, nisi pa asnjë prokurim, punimet në të katër anët, brenda dhe jashtë ndërtesës. “Kështu, akuzon Berisha,- u rrëzuan mure, suvara, u shqepën parkete, tapete, perde, emblema dhe ai vetë i fotografoi ato. Dhe këto foto, ua serviri qytetarëve, sikur kjo ishte ndërtesa e qeverisë që mori në dorëzim nga armiku i tij dhe natyrisht, për të justifikuar punimet pa prokurime me të cilat mbushën xhepat, siç bëri si ministër i Nanos dhe kryetar bashkie”.

 Më tej Berisha publikon disa foto dhe thotë: “Fotot poshtë, tregojnë të vërtetën, por ato mbi çdo gjë dëshmojnë karakterin e vërtetë të Edvin Kristaq Ramës, neobllokmenit në krye të ekzekutivit shqiptar!” Po dje, pas publikimit të albumit të parë me 30 foto vetëm rrënuese nga “Kryeministria si nuk e keni parë” në Facebook- un e Edi Ramës, PD-ja iu kundërpërgjigj Kryeministrit Rama me mbi 20 foto nga salla e pritjeve, paradhoma e ish-Kryeministrit Sali Berisha, salla e konferencave të shtypit, korridoret kryeministrore etj, të dërguara për mediat nga ish-zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli pas publikimit më parë në faqen e saj në Facebook. Në tekstin e saj thuhej: “Rama na paskërkësh publikuar dje një album me foto të punimeve, që po kryen në Kryeministri, foto të bodrumeve të godinës, punëtorëve duke shkulur perdet, të pllakave me llaç të freskët dhe e paskësh titulluar “Kryeministria siç nuk e keni parë”. Gënjeshtra është bërë bashkëudhëtarë e pandarë e gjysmë piktorit, tashmë edhe gjysmë fotograf”, thuhet në koment. “Kjo Kryeministri, shton Mëhilli, që ka pritur njerëz të mëdhenj të kësaj toke, si Xhorxh Bush e Hillary Clinton etj, e që u hap për qytetarët më 28 Nëntor duhej të rrënohej vetëm që dikush të mbushte xhepat që në ditët e para pa filluar mirë punën”.

 Sipas Mëhillit, “Është e lehtë të rrëzosh një stemë republike, të shkulësh kangjellat, të grisësh perdet e sallës së mbledhjeve apo të ndërrosh kolltuqet e zyrave për të mbushur xhepat. Por, si u siguruan fondet? Kush i financoi punimet? Me ç’procedura u prokuruan materialet dhe shërbimet e kryera? Sa kushtoi e gjithë kjo? Gjithçka jashtë çdolloj procedure ligjore dhe pa transparence, përveç përfitimit apo favoreve”. “Duke parë fotot që kishte publikuar Kryeministri i fasadave, më erdhi në mend shprehja: “Mjerë shtëpia kush ka hyrë brenda”. Rama qimen e ndërron, por fasadat s’i harron!” –mbyllet komenti i Mëhillit.

Kthimi në identitet 

Vazhdon lufta me foto për gjendjen e Kryeministrisë. Foto jo vetëm nga Kryeministria e ditëve të fundit, por dhe prej origjinës së saj, kohës kur është ndërtuar në vitet 1940-1941, ka gjetur dhe zbuluar kryeministri Edi Rama. Që më pas i ka postuar në Facebook. Janë saktësisht tri foto bardhë e zi të viteve 1940-1941, kur po ndërtohej Kryeministria, pjesë e Tiranës historike, e veprave dhe ansambleve monumentale, që u krijuan prej vitit 1927 e deri në vitet e pushtimit nga arkitektë italianë si: Armando Brasini, Florestano Di Fausto dhe Gherardio Bosio.