Gazeta Tema: Ja faktet, babai i Odeta Nishanit pronar i oborrit të Pd-së

76

Bujar NishaniBabai i “Zonjës së Parë” Odeta Nishani, është një nga pronarët trashëgimtarë të një pasurie që përfshin “Bar Restorant Sarajet” dhe 1500 metra truall deri në rrugën para oborrit të Partisë Demokratike. Trashëgimtarët e ligjshëm të kësaj prone janë familjet Kazazi dhe Kosova, të cilat kanë degëzuar trashëgimtarët e tyre.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është pjesëtar i kësaj trashëgime.

Gazeta TemA ka siguruar dokumentet hipotekore dhe origjinën e pronës, e cila është e ligjshme, si trashëgimi që buron nga një pronë e regjistruar me nr. 878 më 4 nëntor 1943 në pronësi të Mustafa e Hamza Kosovës, të cilët janë djemtë e Osman Kazazit dhe Fehmi Kazazit.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është djali i Mustafa Kosovës, që e ka zotëruar këtë pronë deri në vitin 1947. Ali Kosova e ka fituar pronën përmes një vendimi gjykate të vitit 1999, i cili kundërshton një vendim të mëparshëm të kthimit të pronave që njihte pronarë vetëm familjen Kazazi. Pas këtij vendimi prona është ndarë në dy pjesë mes familjes Kosova dhe Kazazi.

Sipas gjithë regjistrave hipotekare, prona kufizohet nga veriu me rrugën Abdi Toptani (dikur Alqi Kondi), që është rruga që kalon para “Torre Drinit”, nga jugu nga ish –“Kinema Kosova”, nga lindja nga rruga “Hiqmet Dervishi”, që i bie rruga para oborrit të PD, në një gjerësi prej 34 m, nga perëndimi nga rruga “Pashë Toptani”.

Sipas këtij gentpalni, brenda pronës si pasuri kryesore gjendet “Bar Restorant Sarajet” dhe një sipërfaqe trualli rreth 1500 metra, që sipas përshkrimit hipotekar i bie të dalë në pjesën fundore të rrugicës para PD-së, aty ku është “Kafe Jurnal”, së bashku me pjesën sipër “Kafe Jurnal” ku gjendet dhe zyra e ish- kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Dokumentet:

Vërtetimi hipotekar

Vërtetimi hipotekar i lëshuar në vitin 2000 pas përfundimit të proceseve gjyqësore, vërteton se Ali Kosova është një nga trashëgimtarët e kësaj prone. Siç shihet në dokumente, prona ka numër 1/65 dhe përshkruhet shtëpia me dy kate, një ndërtesë dykatëshe  në fund të truallit, një sallë mbledhjesh dhe një garazh.

vertetimi hipotekor

Vendimi i Gjykatës

Vendimi i gjykatës që i njeh pronën Ali Kosovës mban datën 12 dhjetor 1999, dhe është një padi e Ali Kosovës kundër ortakëve në pasuri të familjes Kazazi, të cilët kishin përfituar më parë të gjithë pasurinë. Pas këtij vendimi gjykate, familja Kosova është pronare e kësaj pasurie

vendim gjyqi aliu

Gentplani

Gentplani që provon kufijtë e pronës duket qartë që kufizon pronën në rrugën “Abdi Toptani”, rrugën para PD dhe pjesët e pasme që kanë të bëjnë me disa objekte të Toptanëve. Përshkrimi që bëhet për kufirin lindor, është se ai është një ballë prej 34 metra nga cepi i rrugës “Abdi Toptani”.

gentplani

Vërtetimi i vjetër i pronësisë

Vërtetimi i vjetër i pronësisë nxjerrë nga hipoteka e Tiranës, thotë se kjo pronë është regjistruar më 4 nëntor 1943, nga Mustafa dhe Hamza Kosova, djemtë e Osmanit dhe Fehmi Kazazit. Ai ka qenë një haremllëk dykatësh me 16 dhoma dhe një burg. Mbrapa tij,  në jug ka qenë pronë e Qanije Hanëm Toptanit, djathtas e majtas nga zonja e Abdi Toptanit, në lindje me një ballë 34 metra me Hiqmet Dervishin, nga perëndimi po me një ballë të tillë me Pashë Toptanin, nga veriu, pra nga rruga “Abdi Toptanit” me një ballë dyzet e tre metra, dhe nga jugu me një kinema që më parë është quajtur “Savoja” e më pas “Kosova”.

Në një shënim tjetër të vitit 1947 shteti ka sekuestruar gjysmën e pasurisë që u përkiste vëllezërve Fehmi Kazazi dhe Abdulla Kazazi.

Në regjistrimin tjetër të vitit 1961, në favor të Mustafa Osman Kosovës dhe Hamza Osman Kosovës, figuron si ndërtesë Sarajet, plus 400 metra truall, ndërsa pjesën tjetër e ka marrë Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, që i bie të jenë pjesa e poshtme e zyrave të PD-së, ku ka qenë më parë Partia e Unitetit Kombëtar dhe në krah të saj ish- zyra e kryetarit të PD-së.

origjina e prones

Polemikat me Presidentin

Gazeta TemA ka ngritur e para dyshimin se pas kërkesës së Partisë Demokratike për të liruar zyrat e saj dhe për të marrë zyrat tek SHQUP, ka një konflikt interesi mes faktit që familja e gruas së presidentit është trashëgimtare pronash në atë zonë, ku përfshihet dhe një pjesë e territorit të PD-s. Deputeti Edi Paloka tha se lirimi i territorit bëhet për t’ua kthye pronën ish- pronarëve. Territori që ka zaptuar godina e PD-së dhe parkingu i saj është shumë më i gjerë se prona e familjes Kosova, dhe një prishje e ndërtesës së PD-së do bashkonte interesat e pronarëve të asaj zone për një ndërtim, çka është dhe në planet konkrete të Lulzim Bashës.

Prishja e godinës së PD i hap perspektivë të qartë pronës së familjes Kosova dhe pronarëve të tjerë, kryesisht Toptanas, që janë në atë territor.

Këtu nuk ka asgjë të keqe, që ata të marrin pronën që u takon, nëse PD prishet. Po ashtu, nuk kemi asnjë dyshim dhe asnjë paragjykim për menyrën si ka shkuar prona tek familja Kosova dhe Kazazi. I vetmi dyshim që ngremë është se investimi i presidentit në këtë çështje, është një konflikt i pastër interesi, që ka të bëjë me një diskriminim pozitiv ndaj trashëgimtarëve të një prone dhe persekutim të të tjerëve. Nëse godina e ushtrisë duhet të nxirret nga inventari i pronave të ushtrisë, atëherë edhe ajo le t’u jepet pronarëve, s’ka pse i jepet PD-së. Fakti që lirohet një pronë për të investuar dhe persekutohet një palë tjetër pronarësh, duke ua rizaptuar atyre, tregon për një përdorim të pastër pushteti për interesa financiare. Kaq është akuza jonë për Bujar Nishanin. Nëse i ka dhënë apo jo vjehrri pjesë në pajë, ta zgjidhë me gruan.