CEZ: Nis ndërprerja e energjisë për institucionet debitore

56

CEZ-remonteAshtu siç kishte paralajmëruar, “CEZ Shpërndarje” nisi sot ndërprerjen e energjisë elektrike për institucionet buxhetore dhe jobuxhetore, si dhe për zyrat administrative të ujësjellësve debitorë në të gjithë vendin.

“CEZ Shpërndarje u la një afat të arsyeshëm të gjitha këtyre institucioneve, për të paguar detyrimet e prapambetura, por asnjë nga këto institucione nuk ka reaguar për shlyerjen e debisë. Ky ishte një apel i përsëritur që CEZ Shpërndarje u bënte këtyre institucioneve dhe brenda disa muajsh ata ishin njoftuar zyrtarisht për detyrimet ndaj kompanisë, si dhe ne shumicën dërrmuese të rasteve e kanë pranuar se janë në borxh me CEZ Shpërndarje”- thuhet në një njoftim të kompanisë.

Sipas “CEZ Shpërndarje”, në total detyrimi i këtyre institucioneve, pa përfshirë kamat-vonesat, llogaritet në rreth 65 milionë dollarë.
“CEZ Shpërndarje” shpreh vendosmërinë për të mos furnizuar me energji elektrike asnjë nga institucionet debitore, derisa ata të paguajnë detyrimet e tyre.

“CEZ Shpërndarje garanton qytetarët se kjo kompani do të trajtojë me të njëjtin standard abonentët private dhe shtetërore, duke furnizuar me energji ata që paguajnë energjinë dhe duke prerë çdo lidhje për ata që nuk paguajnë energjinë.