Rinasi, ky gur i rëndë në qafën e ekonomisë shqiptare

84

Petrit Kuçana

Shumica e të rinjve shqiptarë, që kanë lindur në emigracion, thuajse nuk e njohin fare Fatos Nanon. Mbase do ishte e pamundur, për pjesën më të madhe të tyre, ta dallojnë në ndonjë foto, apo që të mund të kenë regjistruar diçka në memorien e tyre për ish-kryeministrin shqiptar. E vetmja gjë që mund t’i lidhë ata me atë, mund të jetë Rinasi, porta hyrëse për në mëmëdheun e prindërve të tyre. Shumë – shumë ndonjë kujtesë si reflektimin i mallkimeve për çmimet e Rinasit.

Ndoshta është vendimi për dhënien me koncesion të Aeroportit të Rinasit në vitin 2004, ai që mbahet mend në gjithë karrierën e tij politike,  për shumë e shumë të rinj, dhe jo vetëm, emigrantë shqiptarë. Një trashëgimi e shpifur, e mallkuar, mbase e pashpjegueshme për të rinjtë shqiptaro-europianë, që nuk arrijnë as të kuptojnë se pse Rinasi vazhdon të mbetet aeroporti më i shtrenjtë në rajon dhe më gjerë dhe se ndoshta nuk mund të shkojnë deri tek pyetja deri kur?!

As ata e as prindërit e tyre, nuk vazhdojnë më tej sesa  ato frazat shfryrëse, mallkuese, për aeroportin që po i rrjep shqiptarët, e shumë pak prej tyre e dinë që kjo gjendje do të vazhdojnë deri në 2026. Duket si shumë kumbuese kjo frazë, tejet e prekshme në jetët e miliona shqiptarëve që vazhdojnë të përdorin Rinasin, e mbase pak e dinë se qeveria e Edi Ramës e ka rinegociuar në 2016, duke e shtyrë edhe me dhjetë  vite të tjera këtë marrëveshje dhe se kemi “përfituar” të drejtën për të hapur aeroporte të tjera, ndërsa koncesionari ka përfituar “vjeljen” e Rinasit deri në 2026.

Kaq e gulçueshme mbetet “çudia” e Rinasit, saqë shikohet si mision i pamundur “shpjegimi” për shqiptaro-evropianët që nuk arrijnë të kuptojnë se “pse Rinasi është kaq i shtrenjtë”, duke vazhduar me pyetjet krejtësisht logjike se “përse linjat e lira nuk “guxojnë” të shkelin në Rinas, si në aeroportet fqinjë?”.

Përse Mali i Zi e Maqedonia mbeten “parajsë” për shumë e shumë mërgimtarë shqiptarë, që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri, duke ardhur nga andej, si një kthesë e domosdoshme për shkak të çmimeve?”.

Sa i pamundur do të bëhej shpjegimi, qoftë edhe për emigrantët shqiptarë, aq më pak për turistët, sidomos nëse do u tregoje se përfitimi i koncesionarit të Rinasit është 380 milionë euro.  Në një emision investigativ kolegët e Top Channel  zbuluan të vërteta tronditëse. E mbase jo aq çuditshëm asgjë nuk ndodhi. Askush nuk u vendos përpara përgjegjësisë. Asnjë investigim nuk filloi nga organet kompetente dhe gjithçka filloi të shuhet në treditëshin e famshëm që mban një lajm, e madje shumë pak jehonë pati edhe në masmedian shqiptare. E në cilin shtet ku jetojnë këta mërgimtarë shqiptarë do të guxonte të ndodhte një gjë e tillë?!

Gjasat që dikush të mbajë përgjegjësi janë kaq të vogla, aq sa edhe shpresat se së shpejti ndonjë linjë ajrore low cost do të mund të guxojë të shkelë Rinasin.

Kaq e neveritshme do duket çdo lloj propagande, tek gjithsecili “përdorues” i Rinasit, që shikon tek valon flamuri kinez ngjitur me hyrjen e tij. Madje edhe publikimet e shifrave për turizmin duken thjesht një nuancë që i shërbejnë pikërisht kësaj, aq më tepër kur thuhet se na qenkërkan mbi 200 mijë britanikë që na paskan vizituar Shqipërinë kur në të vëtet këta janë shqiptarë, e mbase edhe ministri i Turizmit Blendi Klosi e di këtë.  Vizita e tij në Panairin e Turizmit në Londër është thjesht një “tick” tek ato punërat e tij, sa për të thënë e ishte.

Çdokush e kupton se një turist nuk mund të vijë, kur vetëm bileta kthyese për në atdheun e shqiptarëve kushton sa një paketë njëjavore në Turqi apo në vende të tjera. Mbase duhet bërë një studim i thjeshtë, nga ata krejtësisht të logjikshmit. Sa do të ishte numri i turistëve nëse Aeroporti i Rinasit do të kishte çmimet e aeroporteve të Malit të Zi apo Maqedonisë? Sa do të ishin të ardhurat nga Turizmi, nëse kompanitë Low Cost do të guxonin të uleshin në Rinas? A do të mbetej turizmi i “kafazuar” në dy-tremuajshin e verës?

Deri kur Rinasi do të mbetet i paprekshëm dhe a do të japë kush llogari për 380 milionë euro që ka përfituar koncesionari? Të paktën, a mund të thotë dikush sa aeroporte të tjera do të ishin ndërtuar me me këto miliona euro? A duhet  dikush nga Këshilli i Ministrave, apo ministri i Turizmit e deri tek çdolloj zyrtari përgjegjës, të përgjigjej për “rrjepjen” në Rinas. Prokuroria?!…

Së paku do të gjejnë pak mëshirë,  (në pamundësi për t’u turpëruar) që të paktën të ulin dozën e ovacioneve propaganduese për sukseset e turizmit… ku Fatos Nano do të jetë stërharruar.

* Botuar në ‘The Albanian’