I dashur kryeministër,
Lexova me një frymë letrën që më kishe nisur sot. Faleminderit që të ramë ndër mend!
Meqë na ishe drejtuar personalisht, mendova se edhe përmbajtja do ishte e tillë: pra votuesi i djathtë të shihte mes rreshtave qartësi, zotim, shpresë.
Kishe harruar të listoje se zgjedhjet nuk bëhen dot në 30 Qershor jo se nuk do opozita, por se zgjedhjet me kandidatë pa rivalë nuk janë demokratike.
Të tilla pseudo-zgjedhje bëjnë vetëm sojet si paraardhësi juaj dhe i Berishës, idhulli juaj shpirtëror, E. Hoxha, busulla që ju sjell votat e rreshtuara të shqiptarëve që në 7 të mëngjesit edhe 34 vjet pasi ka mbyllur sytë.
Të tilla zgjedhje ka bërë e do bënte vetëm Berisha pas 1990-ës. Ti vërtetove se jeni brumë i zënë në të njëjtën magje.
Faleminderit që të ramë ndër mend. E që të të rrimë ndër mend qoftë edhe një ditë të vetme, mbaj parasysh këto gjëra që mungonin në tekstin tënd:
– Lere drejtësinë të merret me Tahirin, Dakon, Sejdinin, Ahmetin, Gjiknurin. Edhe me Velinë po e deshi puna.
– Ndaje mendjen: peshk apo ngjala me LSI-në? Mos harro, të dyja të helmojnë keq po u konsumuan kohë pasi janë jashtë habitatit. LSI i bëri disa vite jashtë pushtetit. Të bëftë mirë!
– Mos e mbaj më peng 21 Janarin. Ke Mediun, Berishën e madh, Berishën e vogël, Bashën, Imamin për të lejuar drejtësinë t’u tregojë vendin? Bëje! Shembuj duam! Besim të japim!
– Për cilat qendra të rilindura flet fshatrave? Milionat që ke dhënë për tender-marrësit pa konkurrim janë groposour në fshatra ku nuk ka më njerëz. E ke vënë re që kur i inauguron je i rrethuar nga të njëjtat fytyra në secilin prej tyre? Ata që vijnë bashkë me ty nga Tirana? Po, sepse nuk ka banorë te fshatrat e rilindur! Kanë ikur qëkurse ti e gjelbërove, PPP-ove e mavrove Shqipërinë. S’kanë punë, për çfarë do rrinë në fshat? Leri trajnimet me lekët që vetë sjellin e vetë marrin ndërkombëtarët, fermerët i ke me prodhime sheshit!
– Je i rrethuar nga njerëz që bankat, ekonominë dhe paranë e njohin mirë. Pyeti pak përse Euro është nën dhé vetëm tek ky vendi yt i rilindur? E na sqaro edhe neve. Në gjithë rajonin euro dhe asnjë valutë nuk ka pësuar asnjë lëkundje, e jo më tronditje në 6 vitet e fundit. Politikisht, ti po fle me hajdutë që euron, kursimet dhe shpenzimet e qytetarëve të tu, i kanë asgjësuar. Në mos me bekimin, me dijeninë tënde të plotë!
– Pse mendon se termi i parë me të cilin të asociojnë shqiptarët është “Arrogant”? Të tillë i ke bërë e mbledhur edhe gjithë të tjerët rreth vetes. Tipike sjellje PPSH-iste. Ti flet për reforma e shërbim qytetar, ndërkohë që administratën e ke prepotente, jo-efektive dhe arrogante po aq sa ti. Pa të mbaruar asnjë punë të shesin mend, propagandë e rrahin ujë në hava. E keni humbur tërësisht kontaktin me realitetin.
– Ti ke dy avantazhe të mëdha: Votuesi shqiptar është jo mavi, po i kuq flakë. Ca meritë e Hoxhës, ca meritë e Berishës. Ti thjesht shijon frytet. E dyta, mirë që iku Berisha, po partinë e la të gjymtuar, të keq-kornizuar e poshtë këpucës e çizmeve të shpurës anti-shqiptare. Po ama shtet demokratik e monopartiak njëkohësisht nuk ka. Po ty të rroftë propaganda që mbin si me magji në këtë tokë fertile të punuar me kujdes e me sukses që nga 1944-a e këtej!
Rri i qetë! Për sa kohë të jesh në këtë avantazh e pa konkurrencë serioze opozitare, mund të pretendosh se do bësh zgjedhje e se je kushtetues sa të duash. Por demokratik nuk je kurrë. As kryeministri im!
Jo për aq kohë sa ti i pari të kryesh detyrën që ke marrë përsipër: dekriminalizmin e vendit.
Mos thuaj që nuk është detyra jote, por e drejtësisë. Është e jotja që ç’ke me të!
E morë përsipër? Bëje!
Çliroje Shqipërinë nga hienat që mban në xhep e nga ato që të mbajnë ty në ajër, majtas e djathtas.
Mos m’i shpërdoro lekët me PPP. Barku i atyre që ke përreth nuk ngopet KURRË!
Kur të jesh çliruar prej tyre, mendo edhe për alternativat dhe kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të tua diktatoriale.
Të uroj shëndet e jetë në familjet e tua!
Edlira,
Qytetare shqiptare që nuk voton dot kurrë post-komunistët dhe hienat anti-shqiptare të asnjërës palë!
P.s. Fjalët “tuaj, suaj, juaj”, e të ngjashmet nuk i shkruaj me gërmë të madhe, sepse në shqip, të gjithë përemrat shkruhen me shkronjë të vogël, përveç rasteve kur fillojnë fjalinë. Respektin ndaj tjetrit duke ngritur gërmat për pjesët e ligjëratës, shqipja nuk e njeh!
Faleminderit!