Felaj: Këtë përgjigje nuk mund ta jap si kryetare e komisionit të sigurisë. Më përpara kam qenë prokurore dhe për këtë përgjigje mund të japin vetëm organet e hetimit si ka ndodhur kalimi, nga ka hyrë apo nëse ishte apo jo në kërkim në momentin kur ka kaluar përmes Shqipërisë. Nuk është një çështje objekt i deputetëve të komisionit të sigurisë. Nga sa kemi parë në media çështja po hetohet..
Lidhur me sigurinë e kufinjve dhe emigrantët e paligjshëm, numri një i komisionit të sigurisë foli për masa të shtuara në kufirin e gjelbërt dhe atë blu. Ajo nënvizoi se të tilla kalime ilegale mund të shfrytëzohen jo vetëm nga shtetasit e vendeve të treta, por edhe trafikantët, kontrabandistët apo persona me prirje terroriste.
Felaj: Është rritur monitorimi në kufi sepse është një çështje që i përket të gjithë vendeve të rajonit. Ka më shumë kontrolle dhe siguri në kufirin e gjelbër dhe atë blu. Shqipëria ka edhe qendrat e akomodimit dhe referimit për emigrantët e paligjshëm. Të dhënat jemi munduar ti marrim në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kontrollet janë në nivele të kënaqshme. Sivjet është premtuar buxheti i ministrisë së Brendshme do të adresojë një pjesë të mirë të këtyre problematikave. Siguria e kufijve është e rëndësishme sepse Shqipëria është pikë tranziti dhe synojmë ta kemi në kontroll sepse mund të kalojnë edhe terroristë, trafikantë apo kontrabandistë.
Duke u ndalur tek dogana e Hanit të Hotit, e pyetur nga “Ora News” nëse është një shkelje që bëhet me tarifën e skanimit, kur këtu nuk ka një mjet skaner, ajo u përgjigj se kjo është vetëm një pjesë e problemit që ka marrëveshja e trashëguar nga qeveria e mëparshme.
Felaj: Ky është problem i një marrëveshje të bërë përpara se ne të vinim në pushtet dhe kjo marrëveshje ka edhe disa probleme të tjera që ne ia kemi vënë në dukej autoriteteve përkatëse që të negociohet për ndryshimin e këtyre pikave të kontratës. Skaneri duhet sepse më pas kontrolli është 99% i saktë dhe tashmë ka ardhur koha për ta patur sepse është ndryshe kontrolli me dorë dhe ndryshe me pajisje të teknologjisë së lartë.
Sëbashku me deputetë e këtij komisioni dhe përfaqësues të OSBE Felaj vizitoi pikat kufitare të qarkut Shkoder, ku u njoh me nevojat dhe problematikat që ato kanë që më pas t’i adresohen institucioneve përgjegjëse. Ajo nënvizoi se kjo është më e lehtë pasi buxheti 2019-es për ministrinë e Brendshme është rritur.