Imazhi perëndimor i medaljonit dëshmon ndikimin e marrëdhënive të ngushta diplomatike që kishte filluar Ali Pasha Tepelena me Fuqitë e Mëdha në rajon. Në fillim Franca 1798-1800 dhe pastaj Rusia 1800-1807 zotëronin Ishujt Jonianë, fqinjë të Pashallëkut të Janinës. Ndërkohë që agjentë britanikë si William Martin Leake ishin të pranishëm në rajon.
Në dhjetor 1806, Porta e Lartë i hapi luftë Rusisë dhe Ali Pashë Tepelena nxitoi të përfitonte duke arrestuar konsujt rusë në territoret e veta dhe me artilerinë, që kishte marrë nga francezët u përpoq të sulmonte ishullin e Shën Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët çamë dhe armatolitë e Thesalisë. Ali Pasha u pajtua me feudalët çamë, kurse i biri i tij Myftari e mbyti në gjak kryengritjen e armatolive në Thesali.
Kur Fransua Pouqueville i emëruar konsull i përgjithshëm i Francës, mbrriti në Janinë në 1806, i solli Ali Pashë Tepelenës dhe premtimin e Napoelonit se do t’i jepte nën administrim ishullin e Korfuzit nëse do të angazhohej në luftë kundër rusëve.
Tashmë Ali Pasha Tepelena zotëronte gjithë bregdetin e Çamërisë dhe po shikonte që të merrte në zotërim dhe Korfuzin dhe Ishujt Jonianë. Paqja e Tilsitit në vitin 1807 midis Francës dhe Rusisë bëri të mundur largimin e rusëve nga ishujt jonianë, zotërimin e tyre sërish prej Francës dhe largimin e rrezikut rus për të minuar pushtetin e Ali Pashë Tepelenës në Epir dhe More./ata/