Të dielën e kaluar me rastin e 2 vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Shenjtëroren e Zonjës së të Varfërve, në Banneux (Belgjikë) u organizua një ceremoni lutjesh e festimi. Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë kishte organizuar në detaj këtë event. Në të merrnin pjesë drejtues të Bashkësisë Katolike në Bruksel, Ambasadori i Kosovës në Belgjikë Bernard Nikaj, si dhe përfaqësues të klerit katolik shqiptar.
Funksionarët dhe përfaqësuesit e lartë të klerit katolik shqiptar, të pranishëm në meshën e jashtëzakonshme kishin udhëtuar nga të gjitha trojet etnike shqiptare, duke u bërë njëkohësisht edhe ‘ambasadorë’ realë të paqes dhe fjalës së mirë, dy prej cilësive të spikatura të Nënën Terezës. Kështu, nga emrat e pranishëm ishte Zef Gashi, ipeshkv i Tivarit, ish-ipeshkv i Kosovës etj.
Po kështu organizatorët e meshës kishin menduar mirë përsa i përket ceremonisë duke kuruar mjaft detaje të vogla, të cilat lanë mbresa të pashlyera në sytë e pjesëmarrësve. Kori i kishës, përbëhej nga disa vajza të vogla të veshura me kostume kombëtare, të gjitha fëmijë të komunitetit shqiptar të Belgjikës, të cilat flisnin mjaft bukur dhe rrjedhshëm shqipen. Kjo u spikat kryesisht gjatë recitimeve.
Komuniteti shqiptar i Beneluxit ishte i mirpërfaqësuar, pa ndasi religjioze, çka do të thotë që të pranishëm ishin jo vetëm ata shqiptarë që i përkasin besimit katolik, por edhe bektashinj, muslimanë dhe orthodoks.
Procesioni u bë në tre ndalesat e zonjës. Në fund të meshës shqiptarët vazhduan festimin me muzikë popullore dhe biseda deri vonë.