E nderuar zonja Kancelare Merkel!
Për pasojat e osmanizmit në Ballkan, më mirë sesa në shqiptarët nuk mund të faktojë askush pasi kemi pësuar 479 vjet dhunën osmane pa shkollë, institucione e rrugë. Ndërsa për krishtërimin e shqiptarëve dhe misionin e shqiptarëve ndaj krishtërimit Europa të na rrijë në këmbë. Sepse ishte iliriani i madh, perandori Kostandin që zyrtarizoi krishtërimin në vitin 375. Ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, mbrojtës i qytetërimit dhe krishtërimit europian. Për të dyja këto vlera Europa, e në mënyrë të veçantë Gjermania si mike e shqiptarëve, një popull 3 milionësh do e kishte pranuar pa kushte në Europë.
Zonja kancelare, meqenëse jeni lindur dhe rritur në Gjermaninë Lindore, keni përjetuar murin e Berlinit dhe vrasjet gjatë kalimit të njerëzve drejt perëndimit, si dhe i dini dosjet e zeza të komunizmit. Po ju kujtoj se ne shqiptaret kaluam 50 vjet komunizëm që na dhunoi pronën, lirinë e besimin tek zoti. Pikërisht për këto arsye nuk duhet të na kujtoni neve shqiptarëve Turqinë, por Europën, të cilës i kemi shërbyer dhe po i shërbejmë.
Zonja Merkel, urdhëroni në Shqipëri dhe kërkoni sa shqiptarë duan të shkojnë në Turqi dhe sa në Gjermani. Të garantoj se të gjithë duan Europën. Shfetoni albanologët, historianë e diplomatë që kanë shkelur Shqipërinë, gjermanë e austriakë. Të gjithë kanë studiuar Ilirinë dhe kanë vërtetuar që është pjesë e pashkëputur në qytetërimin dhe kulturën europiane. Shqiptarët janë populli me tolerancën më të madhe fetare. Kurrë nuk kemi pasur luftë fetare. Feja e shqiptarit është shqiptaria.
Ju urojmë suksese dhe nderim për juve ashtu siç ju vlerësuan gjermanët për të katërtën herë. Ne shqiptaret presim shumë prej jush.
Zef Previzi, Bruksel