Shpëtim Gjika shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës

86

shpetim gjikaGjykata e Tiranës shpall  sot  të pafajshëm kryetarin e bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, por dhe  të pandehurit e tjerë të akuzuar për  falsifikimin e lejeve të ndërtimit të dy godinave njëra në lagjen Pavarësia dhe tjetra në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në vëndin e quajtur “Tre Rasat”.

Të pafajshëm u shpallën edhe Gentjan Sherifaj dhe Eleni Dardha, Blerdi Liçaj. Gjithashtu urdhërohet dhe heqja e sekuestros preventive e dy pallateve.

Mesditën e sotme (27 nëntor 2014) gjyqtari Arben Micko lexoi vendimin ndërsa prokuroria deklaroi se do ta apelonte.

Vetë Gjika i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit nuk pranoi të komentonte, ndërsa në momentin e deklarimit në sallë pati ovacione gëzimi. Pas vendimit i çliruar nga akuza, Gjika ofroi një pije për të gjithë miqtë e tij.

Një vendim i tillë u mor gati një vit nga momenti kur Prokuroria e Përgjithshme deklaroi kryetari i Bashkisë së Vlorës ishte marrë si i pandehur më (27 tetor 2013).

Pretenca 

Më 8 tetor 2014 prokuroria kërkoi dënimin me 4 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 (tre) vjet

Gjithashtu, për të njëjtën akuzë, Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 (tre) vjet për shtetasen Eleni Dardhaj, punonjëse e Bashkisë Vlorë.

Gjitashtu u kërkua dënimi me 2 vjet e gjashtë muaj burg për shtetasin Blerdi Liçaj dhe me nga dy vjet burgim për shtetasit Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”, të parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal.

Pallatet qe çuan në gjyq Gjikën

Prokuroria e Vlorës akuzoi Shpëtim Gjikën se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, falsifikuan përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010. Sipas akuzës, këto dokumente, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Sipas prokurorisë dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.