Miratohet ligji për legalizimet, opozita kundër

63

komisioni perKomisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar””, që pritet të kalojë këtë javë për miratim në seancë plenare.

Pas diskutimeve javën e kaluar të amendamenteve të propozuara nga disa deputetë të mazhorancës dhe opozitës, si dhe vërejtjeve dhe sugjerimeve të ardhura nga komisionet e tjera kuvendore, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese e shqyrtoi dhe miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, vetëm me votat e përfaqësuesve të mazhorancës në komision.

Nënkryetari i Komisionit, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, Genc Ruli, duke folur në emër të përfaqësuesve të opozitës në komision tha se pavarësisht votës kundër në parim, opozita mori pjesë në të gjitha etapat e shqyrtimit të projektligjit me dëshirën dhe vullnetin e mirë për të dhënë kontributin e saj.

“Shprehemi kundër edhe në tërësi, sepse nga të gjitha amendamentet që u propozuan nga deputetët e opozitës dhe që kanë lidhje logjike me njëri-tjetrin, vetëm dy ose tre u morën parasysh, ndërsa të tjerat, ato më thelbësoret u rrëzuan,” tha Ruli, ndërsa theksoi se opozita me ndjenjën e përgjegjshmërisë politike kërkoi nëpërmjet amendamenteve të saj që të mundësohej legalizimi falas. “Vota jonë s’ka sesi të mos jetë kundër kur ju nuk mbani premtimet tuaja,” shtoi Ruli në fjalën e tij duke shpjeguar votën kundër të opozitës.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, duke iu referuar votës kundër në parim nga ana e opozitës, shprehu keqardhjen që të njëjtin qëndrim opozita e manifestoi edhe në votimin në tërësi.

“Mendova se votat kundër në parim ishin një lapsus i opozitës, por tani e kuptoj qartë që qenka qëndrim. Megjithëse humbët zgjedhjet, megjithëse në tetë vjet qeverisje dështuat në mënyrë spektakolare me legalizimet akoma opozita vazhdon të mos u kërkojë ndjesë qytetarëve për këtë gjë,” tha Shalsi.

Në vijim, kryetari i Komisionit tha se me miratimin e ndryshimeve në ligjin për legalizimet ALUIZNI fillon një sfidë të re dhe në këtë kuadër z. Shalsi vuri në dukje se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese do të monitorojë vazhdimisht punën e këtij institucioni.