Kryeministri Edi Rama ka shpërblyer grupin e sulmit në errësirë mbi serverin e tatimeve, duke ndarë për ta poste e detyra të rëndësishme, u shpreh sot, Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi gjatë një deklarata për shtyp.
Sipas Vorpsit, “kryetari i grupit që akuzohet për fshirjen e mbi 4 milionë deklaratave, dhe vjedhjen e të dhënave personale, konfidenciale, për interesa përfitimi të klientëve dhe të dyshes Rama-Meta, është bërë drejtor i IT në Zyrës kombëtare të Regjistrimit të Pasurive. Ndryshe, përgjegjës për sigurinë e pronave të shqiptarëve.”,
Po ashtu ajo akuzoi se, “Rama ka shpërblyer edhe Panajot Gjiknurin, vëllain e Ministrit të Energjetikës, deri dje këshilltar i Ministrit të Financave, për ngritjen e zbatimin e kësaj skeme korruptive. Kohët e fundit ai është emëruar drejtor i IT në Ministrinë e Financave.
“Partia Demokratike, shtoi Vorpsi, i konsideron këto akte të Kryeministrit si thellim të skandalit. Ne nuk do të ndalemi, derisa ta zbardhim plotësisht ngjarjen, mekanizmin korruptiv dhe derisa të nxjerrim në dritë të gjithë përgjegjësit, pavarësisht se sa të forta i kanë lidhjet politike, pavarësisht bekimit që kanë marrë nga dyshja Rama-Meta.”