Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se sfidat e grave janë të shumta, por asgjë nuk mund të përballohet nëse nuk ka një bashkëpunim konstant mes deputeteve shqiptare.
Zv.kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ndërsa vlerësoi iniciativën e Aleancës së Grave të Parlamentit të Shqipërisë për këtë bashkim, tha se ideali i grave shqiptare është ai i fuqizimit të kombit.
“Sot po e shënojmë 8 Marsin me arritje të rëndësishme por kaq nuk është e mjaftueshme, ka shumë punë për të bërë, që gratë shqiptare të zënë vendin e merituar. Sot jemi në shekullin e 21 ndërsa mentaliteti mashkullor mbetet i shekullit të kaluar. Përpjekjet tona dhanë rezultate, por kemi një rrugë të gjatë për të bërë atë demokraci që duhet të vlejë njësoj për të dyja gjinitë dhe në radhë të parë në vendimarrje. Ideali jonë mbetet ai i fuqizimit të kombit tonë. Në këtë kthesë historike gratë luajtën një rol të rëndësishëm për kombin. Të bëhemi shembull se si bashkohen jo vetëm kombi por shoqëritë nën sistemin e vlerave, në arsim, politikë, shkencë e fushat e tjera. Fuqizimi i kombit dhe i grave duhet të jetë një proces që duhet të shkojë paralelisht”tha ajo.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u shpreh e bindur se gratë mund ta fitojnë betejën për të drejtat e tyre.
“Sot bëj thirrje për të ndryshuar gjerat. Nëse do të jemi së bashku do të ndryshohen, ndryshe e kemi luftën të humbur pa e filluar akoma. Shekulli që ka ardhur është shekulli i grave kudo që janë”,- u shpreh Kodheli.
Deputetja e PD-së, Majlinda Bregu,theksoi se gratë të bashkuara janë një forcë që mund të përballojë gjithçka.
“Nëse do ta shohim të gjithë bashkë pjesën e të drejtave të grave ne mund të jemi më agresive dhe të fitojmë një betejë që është e vjetër. Sot gratë duhet të jenë të vërteta me njëra-tjetrën, drejtësia është ajo çka i duhet grave. Duartrokitje të fortë për të gjitha ato zonja që sot kanë pak arsye për t’i dhënë vetes Gëzuar 8 Marsin, por kanë plot arsye për të vazhduar përpara. Sot në rrugë para Kryeministrisë, gratë shqiptare janë në protestë, nga administrata shqiptare janë larguar 5 mijë veta nga puna, një pjesë ë të cilave janë gra”,- tha Bregu.
Në këtë aktivitetin e organizuar nga Aleanca e Grave Deputete, e drejtuar nga demokratja Mesila Doda marrin pjesë rreth 20 deputete femra nga Republika e Kosovës, 7 deputete nga Maqedonia, ndërsa pjesa tjetër janë parlamentaret e Kuvendit të Shqipërisë.
Me rastin e festës së gruas janë parashikuar edhe aktivitete të tjera pas kësaj seance, si pjesëmarrja në një koncert në Teatrin e Operas dhe Baletit.