“Karta e Adriatikut-SHBA”, Arvizu: Anëtarë të rinj kur ata të jenë gati

48

arvizu1Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot konferencën “Karta e Adriatikut-SHBA”, ku temë kryesore ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të kësaj karte. Në konference morën pjesë edhe delegacione nga vendet e rajonit si: Bosnja, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova si dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit rrit sigurinë në Evropën Juglindore.

“Në kontekstin e një krize ekonomike globale që ka tundur themelet e sigurisë ekonomike të vendeve anëtare të BE-së, dhe për rrjedhojë ka rritur sfidat e parametrave të sigurisë të gjithë Evropës, shpreh bindjen e thellë se bashkëpunimi mes vendeve tona merr një dimension të veçantë. Në këtë kuadër rritja dhe intensifikimi i bashkëpunimit konkret ndërparlamentar përfaqëson një peshë të rëndësishme, dhe mbi të gjitha një rol të veçantë në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore”, -u shpreh Meta.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, e cilësoi nismën mbarëballkanike të Kartës së Adriatikut, një histori suksesi, e cila, sipas tij, bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ai vlerësoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në suksesin e Kartës, e cila vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive.

I pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, i cili theksoi vendosmërinë e palëkundur të SHBA-ve për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Sipas ambasadorit Arvizu, Karta e Adriatikut kontribuon për një Evropë të lirë dhe në paqe.

“Ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe krimin, si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë civile për të gjithë individët në rajon. Aleanca mundet dhe duhet të pranojë anëtarë të rinj, kur ata të jenë gati”, -u shpreh ambasadori amerikan.