Votoni për një ndryshim historik

60

kuti-votimiNga Poli Hoxha

Sot është një ditë e madhe, e rëndësishme, delikate për gjithë Shqipërinë dhe mbarë kombin. Janë bërë shumë zgjedhje në këtë vend të shumëvuajtur, por këto të sotmet shënojnë një gur-kufi, për përpjekjet, luftërat dhe shpresën e shqiptarëve, që të mos jenë më një vend thjesht gjeopolitik, në Evropën e zhvilluar. Sot është ditë e diel, por të gjithë duhet të çohemi më herët, të veshim rrobat më të mira si për një dasmë a festë, të kontrollojmë portofolin dhe xhepat, jo për ato pak lekë që na kanë ngelur në këtë javë të fundit të këtij muaji, por për të verifikuar kartën e identitetit apo pasaportën. Gra e vajza, shtëpiake apo të punësuara, të dhunuara apo në karrierë, që kanë halle jetësore apo një jetë “normale” si në Shqipëri, votoni sot, për të hapur përfundimisht dyert e Evropës. Kur vijnë evropianet në “Shqipërinë evropiane”, habiten me ju…por kur shkoni në shtëpi e hiqni nga trupi veshjet evropiane, mendoni gjithë natën për ditën e vështirë që iu pret të nesërmen. Nuk ju takon.

Të rinj e të reja, që e keni parë me sytë tuaj Evropën e vërtetë, apo edhe kur jua kanë treguar, apo edhe në televizion, mendoni… Jeni të zgjuar po aq sa një bashkëmoshatarë gjerman apo danez, jeni të bukur po aq, në mos më shumë. Doni shkollë e dije po aq, doni punë aq shumë. Mendoni pra vetëm 30 sekonda, pse jeni ndryshe? Kush është shkaku? Cilët janë autorët? Çohuni pra nesër në mëngjes dhe votoni ndryshimin, votoni kundër shpresëprerit, votoni kundër atij që promovoi dhe mori flamurin e demokracisë, kur ju sapo kishit lindur dhe sot jeni me diploma që s’ju hyjnë në punë. Jeni duke vënë loto për Itali-Brazil, me shpresën se do fitoni ca kacidhe… ju e dini që nesër do t’i humbisni. Këtë iu ofron sot kjo qeveri, ky sistem gjysmë demokratik. Votoni nesër për Aleancën, votoni për LSI, ku “ligjin” e bëjnë të rinjtë.

Të varfër e të pasur, qytetarë e fshatarë, biznesmenë, të punësuar që nuk merrni dot rrogat në datën e caktuar, të papunë që iu premtojnë e shpresoni më kotë që do gjeni një punë në mëngjesin që vjen, ngrihuni nesër me të vetmin qëllim: Votoni LSI, votoni LSI! Kreditorë e kredidhënës, që s’do gjeni kurrë paqe mes vetit me këtë sistem gjysmëdemokratik e gjysmëkapitalist, që shton rrjepjen në kurriz të varfërisë, duke harruar se kështu shkatërrohen të gjithë, votoni NDRYSHIMIN. Zemra e tij është programi i LSI. Krijojini vetes një mundësi të fundit, për veten dhe për të gjithë. Vetëm 5 minuta kohë dhe lexojeni, apo të konsultoheni me të njohur, miq e të afërt, se çfarë ofron programi i LSI. Çfarë ofron? Punë, punë, punë. Por si? Me projekte reale, me këmbë në tokë, me vizion dhe humanizëm, duke zhvilluar e ndihmuar biznesin, jo me hile, por projekte reale, duke konsideruan bujqësinë dhe turizmin, si resurset më të rralla e më të pasura të këtij vendi. Natyra e Zoti i ka dhënë gjithçka, por politikanë, që ti menaxhojnë për të mirën e të gjithëve, jo.

Të moshuar, veteranë, “të luftës” a jo, ballistë a legalistë, të përndjekur apo të akuzuar për hir të punëve që keni kryer duke ju akuzuar si “persekutorë”, çohuni nesër që në mëngjes e votoni për fëmijët, nipërit e mbesat tuaja, pensionin tuaj, që është më i turpshmi në botë, pension që jua thith fatura e dritave dhe ujit. Ju që keni punuar gjithë jetën dhe “ju luteni” fëmijëve, t’ju ndihmojnë për pagesën e recetës së ilaçeve. Votoni ndryshimin, se vjen shpejt nëse ikën gangrena 23-vjeçare. Votoni LSI, jo sepse është më “e bukura”, por sepse jep zgjidhje.

Kemi që në kohën e Gjergj Kastriot Skënderbeut që trokasim të palodhur, pa humbur shpresën në portat e Evropës. Sot është dita për t’i hapur përgjithmonë, sinjalin na e kanë dhënë. Si gjithmonë, e kanë lënë në dorën tonë, sot. Por sot çdo votë për ndryshim, është votë që ndryshon historinë e këtij vendi!