Van Rompuy: Ballkani ndodhet në një moment historik

63
foto EU
foto EU

Samiti i Liderëve të BE-së që u mbajt për dy ditë në Bruksel më 27 dhe 28 qershor, konkludoi edhe në lidhje me politikat aktuale të zgjerimit të BE-së. Këshilli vendosi hapjen e negociatave të aderimit me Serbinë dhe hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Presidenti i Këshillit Europian Van Rompuy e ka cilësuar këtë arritje, si një moment historik për BE-në dhe Ballkanin. 

Pas përfundimit të Samitit të liderëve të BE-së, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy është prononcuar në lidhje me zgjerimin duke deklaruar, se ndodhemi në një moment historik për Ballkanin dhe për Europën në tërësi.

Van Rompuy theksoi, se dy vendimet mbi Serbinë dhe Kosovën, vijnë si rezultat i menjëhershëm i marrëveshjes kurajoze, që Beogradi dhe Prishtina arritën Prillin e kaluar. Ai shtoi se, Konferenca e parë ndërqeveritare me Serbinë do të mbahet më janar 2014, më së shumti dhe se në të njëjtën kohë, mandati negociues për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën, u adoptua.

Unë do të udhëtoj në të dy kryeqytetet, Prishtinë dhe Beograd të hënën, për të nënvizuar domethënien e kapitullit, që ne po hapim së bashku. Dhe të dielën në mesnatë, unë do të festoj në Zagreb me Kroacinë, hyrjen e saj në Bashkimin Europian. Shumë anëtarë të Këshillit Europian, do të udhëtojnë në Zagreb për të ndarë këtë moment me popullin kroat”,- ka deklaruar Van Rompuy.

Samiti i liderëve të BE-së, ka diskutuar dhe ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe mbi tema, që prekin aktualitetin evropian, si rritja e papunësisë tek të rinjtë, fuqizimi i konkurrencës, rritja ekonomike dhe rritja e vendeve të punës, si edhe mbi plotësimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar.

Liderët e BE-së kanë rënë dakord, për një përqasje të plotë të një kuadri, për të luftuar papunësinë tek të rinjtë, duke ndërmarrë masat e mëposhtme:

–       përshpejtim të Iniciativës së Punësimit të të Rinjve, me një buxhet që shkon deri në 8 bilion euro

–       përshpejtim të implementimit të Garancisë për të Rinjtë

–       rritje të lëvizshmërisë së të rinjve (nëpërmjet programeve EURES dhe ERASMUS)

–       përfshirje të partnerëve socialë

Këshilli Europian diskutoi gjithashtu mënyrat për përmirësimin e investimeve dhe përmirësim të aksesit ndaj kredive. Samiti bëri thirrje për mobilizim të burimeve evropiane duke përfshirë dhe ato të Bankës Europiane të Investimeve dhe lançoi një ‘Plan Investimi’ për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha dhe për rritjen e financimit të ekonomisë.

Këshilli ka konkluduar edhe rekomandimet për vendet përkatëse, të cilat do t’i përkthejnë këto konkluzione në vendimet që do të marrin mbi buxhetet, reformat strukturore, politikat sociale dhe ato të punësimit. Këshilli dhe Komisoni do te ndjekin vënien e tyre në jetë, ndërkohë që Këshilli do të procedojë rregullisht me një ekzaminim dhe vlerësim të situatës ekonomike në Europë.