UEFA: Në “Qemal Stafa” nuk luhet më

64

QemalStafaStadiumTiranaUltimatumi që UEFA ka dhënë është më i rëndë seç duket. Pas takimit trepalësh të zhvilluar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, vetë Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë publike letrën që zyrtarët e lartë të UEFA-s i kanë dërguar në lidhje me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.Sipas institucionit më të lartë të futbollit evropian, stadiumi kombëtar nuk i përmbush aspak kriteret e kërkuara nga ta prandaj është marrë një vendim shumë drastik në lidhje me ndeshjet që do të zhvillohen në të ardhmen në vendin tonë.

Sipas tyre, stadiumi kombëtar Qemal Stafa nuk përmbush asnjë kriter sigurie, prandaj nuk do të luhet më asnjë ndeshje e kombëtares shqiptare. Ata japin ultimatumin për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për gjetjen e një tjetër stadiumi në Shqipëri i cili duhet të përmbushë kushtet e kërkuara. Nëse nuk ndodh as kjo, atëherë kuqezinjtë duhet të luajnë në një tjetër vend. UEFA ka garantuar mbështetje për drejtuesit e FSHF-së në çdo moment. Kjo është letra e dërguar nga UEFA.

“I dashur president. Po ju kontaktojmë për çështjen e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Në fakt, përdorimi i “Qemal Stafës” për ndeshjet ndërkombëtare nuk përmbush standardet e vendosura nga institucioni ynë, për sigurinë, akomodimin e medieve, zyrtarëve dhe spektatorëve. Këto shqetësime janë shprehur vazhdimisht sa herë kombëtarja juaj ka pasur ndeshje.

QemalStafaStadiumTiranaNe kemi dalë në konkluzionin që përdorimi i “Qemal Stafës” nuk është në kushtet që kërkon UEFA dhe përdorimi i tij për ndeshje zyrtare nuk mund të pranohet më.

Si një kompromis UEFA mund të marrë në konsideratë që Federata të organizojë ndeshjet në një stadium tjetër brenda vendit i cili duhet të plotësojë gjithashtu rregullat e kërkuara. Duhen marrë hapa të qarta dhe urgjente për ndërtimin e një stadiumi të ri. Nëse nuk do të ketë hapa konkretë për këtë çështje atëherë ju do të detyroheni t’i luani ndeshjet në një vend tjetër, jashtë Shqipërisë.

Në çdo rast, UEFA do të ofrojë mbështetje dhe në varësi të hapave konkretë që do të merren mund të shtojë edhe ndihmën financiare. Ju lutem t’i merrni parasysh kërkesat tona sepse diçka e tillë do të ndihmojë në krijimin kushteve sa më të mira për futbollin në vendin tuaj dhe për rritjen e cilësisë të këtij sporti”