Tirana mbyll dyert, drejtuesit heshtin

61

tirona-fanaticsDyer të mbyllura,  heshtje dhe mosmarrëveshje e cila  është evidente. Tirana është në kaos dhe tashmë ende nuk dihet kur do të dalë nga gjumi  letargjik i cili e ka përfshirë.  Largimi i Gallos nuk ka marrë akoma një shpjegim publik, ndërsa ekipi i është besuar Sokol Bulkut. Ky i fundit  ka drejtuar edhe stërvitjen  e djeshme dhe përgatitjen  e fundit para ndeshjes me  Lushnjen, ndeshje e vështirë  dhe mjaft deçizive për bardheblutë.

Dje bardheblutë janë stërvitur me dyer të mbyllura në kompleksin stërvitor  “Skënder Halili”, dhe gazetarët  s’janë lejuar të futen brenda  stadiumit. Administratori i  klubit Krenar Alimehmeti ka  dhënë urdhër që të mos lejohet askush të hyjë në stadium, përveç futbollistëve dhe  stafit drejtues të ekipit. Izolimi i ekipit vjen një ditë pas  dorëheqjes së ish-trajnerit Alpin Gallo dhe vetëm një ditë  para transfertës ndaj Lushnjes.

Trajneri Gallo, ditën e enjte ka dhënë dorëheqjen pranë  drejtuesve të klubit ndërkohë  që nga drejtuesit akoma nuk  ka një reagim zyrtar. Mungesa e reagimit zyrtar nga drejtuesit e klubit kryeqytetas  shoqërohet edhe me “izolimin” e klubit gjatë stërvitjes së  fundit para ndeshjes me Lushnjen.

Ndërkohë, pas largimit  të Gallos, ekipi i është besuar  zëvendës-trajnerit të bardhebluve Sokol Bulku, të paktën  për ndeshjen e fundjavës ndaj  Lushnjes. Edhe stërvitjen e  djeshme, që ka qenë stërvitja e fundit dhe përgatitja e  fundit parë ndeshjes, është  drejtuar nga Bulku, i cili ka dalë  edhe në konferencë për shtyp.

Dita e premte është ditë e programuar nga bardheblutë, ku  trajneri del para medieve për  ndeshjen që pritet në fundjavë,  dhe për këtë gjë, Sokol Bulku  është autorizuar për të dalë para mediave.

Gjendja e dobët  e bardhebluve në fushë, prej  ditësh shoqërohet edhe me një “paqetësi” të strukturës drejtuese të ekipit, ku jo vetëm që  vihen re kontradikta mes donatorëve, por edhe nga administratori i ekipit nuk mbahet qëndrim publik për çështjet  që ndodhin në ekip.

Për lojtarët  që merren në provë apo për  futbollistët që do tentohen të  sigurohen në janar si dhe për  kreun e bankinës, nuk ka asnjë  shpjegim publik dhe zyrtar nga  drejtuesit bardheblu. Në rastin  më të mirë është thjesht një  fshehje e asaj që po ndodh në  klub. Po në rastin më të keq? …