Thonë që ka një shprehje kineze: Rrihe gruan çdo ditë, se nëse nuk e ka bërë diçka, me siguri do të bëjë të nesërmen një prapësi. Në fakt i rashë pak nga Kina për të treguar se druri nuk ka dalë as nga xheneti siç thonë të moçmit tanë, as tregon dashuri siç thonë ca e ca syresh që kush të rreh të do, dhe as tregon emancipim për më shumë.
Aq më pak të qëllosh një grua. Ditën për diell. Në mes të rrugës. Duke e zhgërlaqur në mes të sheshit. Në sy të shumë burrave të tjerë që unë do ti quaja edhe më pak burra, se ai burrë që sot ngriti dorën dhe shkelmin në mes të Vlorës kundër gruas së tij.
Dhe këtu nuk është punë As vlonjati, As lushnjari, As mirditori, As jugori, As veriori.
Kjo është punë shqiptari. Atij shqiptari që gruan e shikon si pronë. Gruaja ta durojë kur s’punon. Gruaja ta durojë kur e ofendon. Gruaja ta durojë kur pi. Gruaja ta durojë kur i ngrehet për seks se një mashkull i tillë të vetmet gjë që nuk di të bëjë, është të bërit dashuri.
Dhe ja ku jemi sot në një skenë të tillë makabre.
Ku të gjithë ne u bëmë protagonistë të një video, ku një burrë i ofenduar nga që gruaja e tij e shtyu në mes të ca burrave, e zhulati në tokë si të ishte leckë që fshin dyshemenë, dhe jo bashkëshortja me të cilën ka dy fëmijë. Ku mirë a keq, halli dhe gëzimi janë për të dy.
Të një burri që nuk pati mëshirë as për ngashërimat e fëmijëve të tij.
As për lotët e kërthive të tij që jam i sigurtë që ashtu si shumë shqiptarë i ka rritur me aq mund.
Ato lot që ata fëmijë nesër një ditë ndërsa do të shikojnë sërish këtë video, me siguri nuk do ja falin.
Po sa e sa gra dhunohen në këtë formë pa dijeninë tonë.
Shumë!
Sa gra rrihen në mungesë të kamerave.
Shumë!
Sa e sa gra heshtin sepse një grua duhet të jetë dinjitoze dhe nuk duhet ta tregojë dhimbje vetëm e vetëm për sy të botës.
Sepse shoqëria jonë i tregon me gisht.
Sepse një burrë është burrë dhe si burrë që është ai ka të drejtë të bëjë gjithçka dhe gruaja të bindet sepse kështu e do zakoni.
Shumë!
A ka justifikim të dhunosh një qenie fizikisht më të dobët.
A të bën kjo më burrë se ç’nuk je?
A do ta qëlloje kështu tët’ëmë nëse ajo do të të thoshte; “merri laji vetë rrobat”
A do ta qëlloje kështu tët’motër nëse do të thoshte; “merr e gatuaj vet”
Besoj që jo. Edhe pse burra pa burrëri si ty, kanë guxuar të ngrenë dorën edhe mbi nënat dhe motrat e tyre.
E pra për të mos i rënë nga Kina. Sepse një grua nuk duhet rrahur sepse edhe në mos ka bërë dicka, diçka do e bëjë në vazhdim, thirrjen nuk e kam për burrat pa burrëri.
Por e kam për gratë shqiptare.
Për ato vajza që do bëhen gra.
Të dashura, nëna, vajza, motra që do bëheni gra. Ngrihuni në nivelin e zonjave që ju takon.
Të dashura zonja dhe zonja të ardhshme zgjidhni jo një burrë që t’ju mbushë shtratin dhe shtatin.
As një burrë që tju zerë rehati.
Zgjidhni një burrë që tju respektojë.
Zgjidhi një burrë që tju dëgjojë.
Zgjidhni një burrë që jo tju dojë, por tju dashurojë.
Dhe për ta mbyllur po zgjedh një mesazh, shkëputur nga kënga “Ain’t your Mama” (Nuk jam nëna jote) e këngëtares Jennifer Lopez.
“Unë nuk mund të bëj punët e tua të shtëpisë.
Nuk mund të gatuaj gjithë ditën.
Nuk mund të pastroj gjithmonë rrobat e tua.
Sepse unë nuk jam nëna jote”
opinion.al