Tahiri: Që sot, deklasifikohet komunikata e policisë

67

tahiriMungesa e rendit dhe sigurisë kanë qenë sërish sot shqetësimi i opozitës, ndërsa një kundërpërgjigje e hapur vjen nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook. Sipas tij, PD tani e rriti dozën sipas oreksit të mashtrimit.

“Nuk vlen përgjigjja për PD dhe debati politik sa vlen reformimi i sistemit. Sot për herë të parë, deklasifikohet komunikata e Policisë së Shtetit. Deri dje ishte sekret. Ministri i Brendshëm, kryeministri, kryetari i Parlamentit, Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i SHISH merrnin një kopje ditore të klasifikuar, ndërkohë që media merrte ekstraktin e ngjarjeve më të rëndësishme.

Nga sot, komunikata do jetë publike për të gjithë. Duke respektuar të dhënat private, ngjarjet në hetim të vazhdueshëm dhe të dhëna të tjera që duhet të përbejnë sekret. Kjo është reforma jonë për të garantuar transparencë maksimale ndaj publikut. Kjo është përgjigja jonë. Reformimi i sistemit! Kam dëgjuar nga opozita të akuzojnë se fshehim 40% të kriminalitetit. Nuk marrin mundimin ta provojnë akuzën e tyre. Ndërkohë që tani e rritën dozën sipas oreksit të mashtrimit. Nga 40% e çuan 100%. Përsëri askush nuk jep një provë të vetme. Të paktën tani shpresoj do heshtin, nqs kanë filtër etik, moral e përkushtim ndaj të vërtetës. Më poshtë gjeni komunikatën ditore të plotë. Një të tillë do gjeni çdo ditë në faqen e Policisë së Shtetit”.