Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, ndërsa dy plumba janë gjetur në hapësirat e selisë që ndodhet në rrugën ‘Kralj Petar’ në veri të Mitrovicës.
Nuk dihet akoma motivi i këtij sulmi.
Incidentin e ka konfirmuar për KosovaPress edhe zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.
Sipas tij, gazetarët pasi kanë ardhur sot në punë rreth orës 9:00 dhe kanë vënë re dy vrima në dritare, të cilat janë shkaktuar nga plumbat.
Hoti nuk ka dhënë shumë detaje, por ka thënë se pjesëtarët e policisë ndodhen në vendngjarje dhe janë duke zhvilluar hetimet.
KosovaPress-i ka kontaktuar kryeredaktoren e portalit Kossev, Tatjana Llazareviç, e cila tha se hetimet janë në proces dhe nuk mund të japë detaje, sepse nuk i di.
Atë që mund ta konfirmoj, tha ajo, është se deri tani janë gjetur gjurmë të dy plumbave në dritare, si dhe shum gëzhoja në rrugë, së paku nëntë.
“Dua të theksoj se deri tani nuk kemi pasur asnjë kërcënim. Si portal lokal, jemi pjesë e komunitetit në veri të Mitrovicës, dhe si mjedis i vogël që jemi, pothuajse njihemi të gjithë mes vete. Individualisht, siç vlerësojmë ne, gëzojmë besimin dhe respektin e qytetarëve”, ka thënë Llazareviç.