Sot të gjithë vlonjatë

58

ilir metaNga Ilir Meta

Në mbrëmjen e djeshme, në prag të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit, Kuvendi i Shqipërisë kreu një akt të rëndësishëm politik. Ai miratoi me unanimitet një rezolutë për integrimin evropian të Shqipërisë. Një inisiativë e opozitës, e cila u përkrah pa asnjë mëdyshje nga shumica qeverisëse.

Të mërkurën në mbrëmje shqiptarët patën një rast të lumtur, fatkeqësisht jo fort të shpeshtë deri më tani, të një dëshmie që klasa politike ka arritur një pjekuri të qenësishme. Respektimin pa kushte të kushtit bazë të politikëbërjes lokale: pavarësisht diferencave të thella në pikpamje, pavarësisht luftës shpesh të ekzagjeruar politike, të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm në Tiranë, janë në një mendje për objektivin madhor të  Shqipërisë dhe axhendën e saj kombëtare, integrimin e vendit në Evropë.

Ky është një nga ato momente kur çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet dhe pa diferencë në bindje politike, beson fort se Evropa është destinacioni ynë politik, ekonomik, social, kulturor dhe historik. Ne jemi në Evropë dhe Evropën duam ta kemi edhe këtu.

Procesi i integrimit është para së gjithash një garë me vetveten që shoqëria shqiptare e ka pranuar si sfidën e saj kryesore. Eshtë një garë që nuk përjashton askënd, por përkundrazi, është ftesë që kërkon gjithkënd të japë një kontribut. Qoftë dhe një faktor t’i mungojë kësaj gare, ajo do të ishte e paplotë. Ajo është një garë me ambicjen dhe të drejtën tonë për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të emancipuar, për më shumë qytetari e respektim të drejtash qytetarësh, për më shumë punë dhe më shumë mundësi për punë të ndershme, për një qeverisje të drejtë e shërbenjëse, është garë që thërret në apel gjithpërfshirës gjithkënd e ku askush nuk është i tepërt. Eshtë nevojë dhe domosdoshmëri. Eshtë shans dhe detyrim. Politika zyrtare, në shumicë e pakicë, në të majtë e të djathtë, është refleks edhe i domosdoshmërisë, edhe i nevojës emergjente që Tirana ka për Brukselin.

Në këto ditë të para të qeverisjes së shumicës së re, Kuvendi i Shqipërisë ka hedhur disa hapa simbolikë, edhe në funksion të kësaj gare me vetveten dhe kohën. Ato do të pasohen dhe nga të tjerë hapa të të njëjtit drejtim. Kuvendi është tashmë një arenë e debatit gjithmonë e më konstruktiv, komisioni i ligjeve dhe ai i çështjeve sociale, miratuan një rezolutë të përbashkët për të drejtat e fëmijëve; gratë e politikës shqiptare për herë të parë krijuan një aleancë të tyre dhe në krye është zgjedhur një demokrate; kryetari i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh me një proces transparent dhe gjithëpërfshirës; Kuvendi së shpejti do të miratojë një kod të ri etike. Pavarësisht debateve që janë ushqimi çdo parlamenti nga Londra në Berlin, nga Roma, në Paris e gjetkë, edhe në Tiranë, kam bindjen e thellë se Kuvendi do të nis të përdorë me vendosmëri e pa kthim pas gjuhën evropiane të komunikimit. Ky është vullnet politik. Ky është sërish një kusht që e sheh të ardhmen edhe duke qortuar të shkuarën.

Në 28 nëntor, ne shqiptarët nga Shkodra apo Korça, nga Tropoja apo Saranda, jemi të gjithë vlonjatë!

Në nëntor ne kujtojmë figurat që na bashkojnë.

Kujtojmë Kapitenin e madh evropian Gjergj Kastriot Skënderbeu, që Shqipëria dhe Evropa ende i jep bronx në këmbim të çelikut me të cilin ai e mbrojti.

Kujtojmë Ismail Qemalin që e shihte Shqipërinë evropiane dhe pjesë të Perëndimit.

Kujtojmë Nënën Terezën, Shenjtoren që i përket gjithë botës, por me gjak shqiptar. Vërtet Shqipëria është edhe vend i dhembjes, vuajtjes e varfërisë, por është dhe atdhe i Nënë Terezës që kuronte dhembje, ngushëllonte vuajtjen dhe ushqente të uriturit.

Ky trekëndësh burrash shteti me një Shenjtore në mes është kufiri ku ne duhet të vendosim jetën tonë të përditshme për ta pasur të nesërmen më të mirë: për ta jetuar atë me guxim e kurajo, me urtësi dhe largpamësi dhe për ta jetuar atë me krenarinë e kokës së ulur që mbron më të dobtin përmes përfshirjes dhe solidaritetit.

Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, kam nderin dhe privilegjin të uroj sot të gjithë shqiptarët, kudo ku ata jetojnë dhe kudo gjetkë ku kanë ndërtuar jetën e tyre me sakrificë dhe i thonë bukës bukë, për festën e Pavarësisë.

Uroj dhe jam i bindur, se nëntorët e tjerë shqiptarë do të na gjejnë më evropianë. Qytetarë të hapësirës së madhe të lirisë dhe të demokracisë, aty ku të gjithë së bashku meritojmë të kemi vendin tone me dinjitet, nën hijen e flamurit tone Kuq e Zi.