Nga Alban Blushi
Zgjedhja e sloganit është një nga pikat më problematike të fushatës, kjo për faktin se ai nuk është thjesht një përbërje fjalish, por se ai duhet të ndërthurë në mënyrë perfekte shumë elementë. Nga njëra anë, slogani duhet të përfshijë filozofinë politike të forcës përkatëse, idenë e saj kyçe dhe nga ana tjetër të bëjë të mundur, që nëpërmjet thelbit dhe formës të arrijë të penetrojë tek publiku, pra të bëjë të mundur lëvizjen e masave. Thelbi është po aq i rëndësishëm, sa edhe forma. Formula duhet të jetë konçize, goditëse, duhet të memorizohet lehtë dhe të ngjallë polemika. Duhet të përmbajë ritëm dhe të rimojë. Duhet edhe që të llogaritet që të komunikohet lehtësisht, nëpërmjet platformave publike.
Rëndësia e sloganit si koncept është shumë e vjetër, thuhet se shkon thellë në gjuhën e vjetër skoceze ku ’sluagh-ghairm’ ishte thirrja e luftës së një klani. Megjithëse publikisht është njohur si ekskluzivitet komercial, shekulli i 19-të e bëri të shndërrohej në një devizë të famshme politike elektorale. Vitet ’30 shënuan një përdorim të pastër politik, ku sistemi nacional-socialist, filloi të përqasej ndaj teknikave të publicitetit, me synimin e vetëm, propagandën ndaj masave.
Dy formula, nga dy kampe kryesorë të skenës politike. Kampi blu me sloganin ”Ne jemi ndryshimi! Përpara!” dhe kampi rozë me ”Rilindje! Viti 2013, viti i ndryshimit”
Slogani i kampit blu ”Ne jemi ndryshimi! Përpara!”, është një slogan që kategorizohet për nga zgjedhja e fjalëve, në një model slogani imponues, në konfirmim absolut. Pra e thënë ndryshe, kampi blu, nëpërmjet leximit të këtij slogani të jep të kuptosh, se kjo gjë nuk duhet të vihet në diskutim, sepse oferta më e mirë janë vetëm ato, duke shkuar edhe më tej dhe duke i sugjeruar të tjerëve të shkojnë në rrugën, që ato kanë zgjedhur, pra ’’Përpara!’’. Mirëpo, slogani komunikon me publikun në forma të ndryshme, ai aktivizon domethënie të shprehura dhe të pashprehura, që janë ndërtuar mbi dijen e përbashkët, mbi eksperiencën dhe besimet e përbashkëta.
Një qeverisje 8-vjeçare, e cila është karakterizuar nga probleme, që kanë tronditur vendin si nga ana politike po ashtu dhe nga ana juridike, është larg zgjedhjes së duhur me këtë slogan. Kjo, sepse, slogani duhet të përfaqësojë idenë filozofike të brendshme të forcës politike, që do të thotë se zgjedhja e një togfjalëshi ’Ne jemi ndryshimi’ në formë konfirmimi imponues, krijon analogji me ’ndryshimet’ e hidhura të para ’live’ vit pas viti, gjatë qeverisjes së gjatë. Pra, raporti i krijuar është dyfish rëndues, sepse konfirmon atë çka për të tjerët nuk shikohet aspak si ndryshim pozitiv, përkundrazi ka konotacion negativ, dhe shkohet më tej akoma në konfirmimin imponues, se duhet të ecim, ’Përpara’. Zgjedhja e pjesës së dytë, e rëndon më shumë konotacionin e togfjalëshit të parë. Një zgjedhje ideale, do të ishte një përqasje më shumë midis një fjalie, e cila do të shprehte ’modesti’ me finesë, po ashtu dhe premtim të fuqishëm për mirëqeverisje. Slogani i zgjedhur, shpreh më shumë dëshirë në rrafsh pasional, duke iu larguar racionalitetit dhe logjikës. Prova logjike në të, mungon.
Një nga zgjedhjet më të goditura të kampit blu, ka qenë slogani ’me duar të pastra’, sepse për sa i përket formës ishte i thjeshtë, konçiz, memorizohej lehtë dhe më e rëndësishmja për sa i përket thelbit përfaqësonte filozofinë e brendshme partiake, që kërkonte të ofrohej si zgjidhje politike ndaj korrupsionit qeveritar të kampit rozë. Një formulë e gjetur bukur, goditëse dhe që krijoi lidhje me publikun duke dhënë dhe rezultatin transformues.
T’i kthehemi kampit rozë. Formula ”Rilindje. Viti 2013, viti i ndryshimit”, është një formulë e cila në thelb përfaqëson idenë filozofike politike të opozitës.
Që një slogan të jetë efektiv duhet të përmbajë në vetvete logjikën dhe provën e kësaj logjike. Slogani e shtyn forcën e tij të bindjes dhe joshjes dhe nëpërmjet asaj që publiku arrin të lexojë nëpërmjet rreshtave dhe jo thjesht sloganin, si fjalë më vete. Ai ka aftësinë të penetrojë në një skemë komunikimi me publikun duke u ndërthurur me domethënie të pashprehura, që mbështeten mbi dijen e përbashkët dhe besimet e ndara mes njerëzve.
Zgjedhja e fjalës ’Rilindje’, është gjetje e duhur pasi termi në vetvete ka konotacion shumë të rëndësishëm në mendjen e publikut, pra është ofruar Logjika. Prova logjike e aktualizimit ofrohet, me zgjedhjen e ’2013’, si ’Vit i Ndryshimit’. Ajo çka i mungon është ritmi, harmonia në rimë. Ka pasur shumë fokus në logjikë dhe aktualizim të logjikës, duke anashkaluar disi formën. Gjithsesi, në një logjikë krahasuese, duket se slogani rozë është më në përputhje me filozofinë e brendshme politike të forcës që përfaqëson, me programin e saj dhe me aktualitetin politik në te cilin u shpalos.
Efikasiteti i përdorimit të tyre sigurisht do të shënjohet dhe nga rezultatet përkatëse elektorale dhe analizat paszgjedhore, që detyrimisht nuk mund të anashkalojnë ’thirrjet e klaneve’ ose të ashtuquajturat slogane.