Sinanaj kalon “testet” në polici, qitje perfekte në distanca te ndryshme

157

julian-sinanajI penduari i bandës së bombave C4, Julian Sinanaj, ka shënjestër shumë të saktë dhe është i pagabueshëm në qitjet e tij. Këtë konkluzion grupi hetimor e ka nxjerrë këtë javë, teksa paraditen e së hënës, 31-vjeçari nga Vlora është çuar në poligonin e qitjes për të vërtetuar se cilat ishin aftësitë që kishte i dyshuari si vrasës me pagesë. Burime nga policia bëjnë me dije se Sinanaj është dërguar në poligon për të parë nëse deklaratat e tij se mund të qëllojë me të dyja duart me snajper janë të vërteta apo jo dhe ka rezultuar se ai është shumë i mirë për këto goditje. Sipas ekspertëve, Sinanaj jo vetëm që e përdor shumë mirë snajperin me të dyja duart, por u vërtetua se ai di që të zbërthejë armë të ndryshme, si dhe t’i përdorë ato.

Qitjet

Në orët e para të ditës së hënë, i dyshuari si vrasës me pagesë është vënë në provë nga ekspertët. Julian Sinanaj është vënë në provë për të qëlluar në tri largësi të ndryshme, për të parë saktësinë e qitjes dhe mënyrën se si ai vepronte. Në fazën e parë, Sinanaj është provuar që të qëllojë me armë zjarri të modeleve të ndryshme, duke nisur që nga arma “Beretë”, “Ma-karov”, dhe në distanca të ndryshme. Fillimisht Sinanaj ka qëlluar me pistoletë në largësinë 1 metër (shërben për të matur reagimin psikologjik, më pas në largësinë 6.5 metra dhe herën e fundit në largësinë 12 metra. Në të tria rastet, është vënë re se 31-vjeçari ka shënjestër shumë të saktë dhe nuk gabon në goditje. Sipas ekspertëve, u konstatua se në momentin që Sinanaj merrte armën në dorë, ai ishte shumë i qetë, nuk ngurtësohej, godiste pa pësuar dridhje ose lëkundje të trupit. Sipas ekspertëve, gjatë goditjeve, i dyshuari si vrasës me pagesë është i shpejtë dhe nuk ka shenja frike.

Sipas grupit hetimor, arsyeja se pse Sinanaj u vu në provë në këto distanca është fakti se ai shumë herë i ka ekzekutuar viktimat e tij në këto lloj largësish. Burime të sigurta sqarojnë se në fazën e dytë, 31-vjeçari nga Vlora u provua që të qëllonte edhe në distanca më të mëdha, por me armë zjarri të tipit automatik, kallashnikov. I dyshuari si vrasës me pagesë, është provuar në distancat 20 metra, 40 metra dhe 55 metra, ku ka qëlluar me kallashnikov. Pas goditjeve, është konstatuar se në të gjitha distancat, Julian Sinanaj është i saktë dhe i pagabueshëm. Kjo tregon edhe faktin se përse nuk ka gabuar asnjëherë në planet e tij, apo edhe faktin tjetër, se pse paguhej aq shumë për ekzekutimet që do të kryente.