Florian Bahlula
Kombëtarja shqiptare e futbollit është ngjitur në vendin e 48-të në renditjen e FIFA-s për muajin prill. Një muaj më parë, në mars, Shqipëria renditej në vend të 64-t, por fitoret 1-0 në Oslo me Norvegjinë dhe 4-1 në miqësoren e “Qemal Stafës” me Lituaninë, kanë sjellë rikuperimin e 16 pozicioneve.
Ky është një rekord historik për kuqezinjtë, të cilët asnjëherë më parë nuk e kanë parë veten mes 50 ekipeve më të mira në planet. Aktualisht skuadra e drejtuar nga italiani Gianni De Biasi ka 596 pikë, teksa ka bërë progres dhe në renditjen e UEFA-s, ku edhe në Evropë ka fituar 7 pozicione, duke u renditur tashmë në vend të 25-të në kontinent.
Kjo është akoma më e rëndësishme për përfaqësuesen tonë të futbollit, pasi do të jetë pikërisht renditja e UEFA-s që do të ndikojë në shortin e eliminatoreve të EURO 2016, ku kuqezinjtë mund të ngjiten në vazon e katërt dhe natyrisht mund të kenë kundërshtarë më të lehtë në grup.
Për sa i përket ndeshjes së radhës, kuqezinjtë do të luajnë më 7 qershor në “Qemal Stafa” me Norvegjinë. Shqipëria ndodhet në vendin e tretë në Grupin E eliminator të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, me pikë të barabarta (9) me Islandën, e cila ka golavarazh më të mirë dhe pozicionohet e dyta. Skuadra e De Biasit i ka mundësitë për një kualifikim historik, pasi është vetëm 2 pikë larg Zvicrës kryesuese, kur do të luhen dhe 5 ndeshje të tjera në grup.