Shqipëria i fal fitoren Spanjës

49

kombetarja u21Shpresat e Spanjës kanë fituar me vështirësi ndaj atyre Shqipërisë, me dy gola të rëndësishëm të cilët i dhanë iberikëve të vegjël një tre pikësh shumë të rëndësishëm. Një ndeshje që ka pasur shumë interes nga personazhe të ndryshme të botës së sportit, artit dhe fushave të tjera të cilët kishin ardhur për të ndjekur këtë përballje interesante, pasi kuqezinjtë e Gegës kishin përballë një skuadër të madhe si Spanja. Në tribunën vip të stadiumit “Rruzhdi Bizhuta” të qytetit të Elbasanit nuk mungoi dhe trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, i cili shoqërohej me komentatorin, Shakohoxha. Në krah kishte edhe presidentin e verdhebluve, Arben Laze. Në këtë sfidë mungonte vetëm presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, zoti Duka ndërsa pjesëtarët e tjerë të federatës ishin të gjithë dhe madje mjaft të organizuar për këtë takim zyrtar. Të pranishëm në stadium ishin dhe një numër i konsiderueshëm tifozësh që kishin ardhur dhe disa nga rrethe, por dhe nga Kosova. Loja ka qenë e qetë në fillim, ku të dy ekipet kanë luajtur me kujdes të madh dhe janë munduar të studionin njëri-tjetrin dhe për këtë gjë janë ruajtur mirë. Në minutën e 16’ do të vijë dhe rasti i parë për shënim nga ana e vendasve, ku me anë të një harkimi nga e djathta e sulmit të tyre, Shala gjendet përballë portierit mik godet, por ky i fundit pret me këmbë dhe largon rrezikun. Ndeshja është ndezur disi dhe janë kundërpërgjigjur spanjollët, të cilët pas një kundërsulmi të shpejtë rrezikuan, por ka qenë e vëmendshme mbrojtja e Shqipërisë dhe ka larguar rrezikun në goditje këndi. Miqtë e patën të vështirë për të çarë në mbrojtjen vendase edhe pse me disa kualitete të mëdha në formacion. Ata bënë të pamundurën për të zhbllokuar rezultatin në këtë pjesë të parë, por ekipi i Gegës ishte vendosur shumë mirë dhe mbuloi një për një futbollistët iberikë. Në minutën e 45’, skuadra kuqezi pati një rast të mirë me Kaçen, i cili goditi nga jashtë zone. Topi përfundoi jashtë, me portierin mik që e shoqëroi vetëm me sy. Me këtë rast është mbyllur dhe pjesa e parë, e cila ka qenë e ekuilibruar dhe tepër e fortë, sidomos në mesfushë ku të dyja skuadrat nuk i kanë hapur rrugë njëra tjetrës. Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe më e shpejtë dhe më e bukur, pasi rastet nuk kanë munguar nga të dyja ekipet ku vendasit kërkonin të surprizonin Spanjën e madhe ndërsa këta të fundit, mjaft cilësorë kanë treguar karakter në fushë si një skuadër tepër e kompletuar.

Në minutën e 48’ ka qenë sulmuesi Deulofeu, që me një goditje dënimi pranë zonës së rreptësisë vendase, tentoi të shënonte, por pa rrezik për portierin Teqja, i cili ka bërë një paraqitje mjaft të mirë. Batha një nga më të mirët e skuadrës së Shpresave të Shqipërisë, shumë i lëvizshëm në minutën e 52’ goditi fortë, por gardiani spanjoll reagoi saktësisht. Do të vinte minuta e 66’ dhe mbrojtja kuqezinjve hutohet e përfiton atje sulmuesi Torres, që përballë portierit vendas shërbeu për shokun e tij Muniain. Ky i fundit nuk e kishte të vështirë të shtynte topin drejt rrjetës dhe 0 me 1 për spanjollët. Kundërpërgjigjen tanët, ku Kaçe në minutën e 74’, goditi fort nga distanca, por sfera kaloi pak mbi traversën e gardianit mik që u drithërua jo pak nga kjo gjuajtje. Miqtë mjaft të qetë dhe në minutën e 77’ patën rastin më të pastër për të shënuar dhe golin e dytë që do të vuloste dhe fitoren e tyre, por Deulofeu përballë Teqjes tregohet i pasaktë. Pret portieri kuqezi, që i thotë jo golit të dytë të Spanjës. Në minutën e 83’ ishte përsëri Spanja që morri frenat e lojës në dorës dhe Morata, ylli i skuadrës së Realit të Madridit diagonal me portën gjuan bukur, por shpëton për fat të mirë porta jonë, pasi topi kalon ngjitur me shtyllë e djathtë. Minuta e 88’ dhe Spanja shënon dhe golin e dytë. Sulmuesi Deulofeu përballë portës vendas gjuan fort dhe shënon duke mposhtur Teqjan, i cili dorëzohet nga ky super gol i sulmuesit spanjoll. Me këtë rezultat mbyllet i gjithë takimi eliminator midis Shpresave të Shqipërisë dhe atyre të Spanjës, ku këta të fundit kanë fituar me meritë duke vazhduar rrugëtimin e tyre, ndërsa ekipi jonë qëndron përsëri në vend.